17 Korrik 2014, ZHVILLOHET KONFERENCA ZGJEDHORE E BSP ELBASAN

Print
There are no translations available.

Më datën 17 Korrik 2014, u zhvillua Konferenca Zgjedhore e BSPSH-së, rrethi i Elbasanit, në zbatim të programit të fushatës zgjedhore, në kuadrin e Kongresit të VI të BSPSH-së, me pjesëmarrjen e 40 delegatëve që përfaqësojnë  2808 anëtarë të  seksioneve  profesionale të këtij rrethi. Në konferencë asistoi Presidenti i BSPSH-së, zoti Gëzim Kalaja  si dhe monitoruesi i konferencave zgjedhore të rretheve, Sekretari Organizativ i BSPSH-së, zoti Koço Jani. Raportin në emër të Këshillit Sindikal të rrethit Elbasan, mbi aktivitetin 5- vjeçar të organizatës sindikale të rrethit , e mbajti zoti Romeo Haskaj, i cili raportoi mbi aktivitetin sindikalist të Këshillit Sindikal të Rrethit dhe seksioneve profesionale të anëtarësisë sindikale.

Në raport u trajtuan problemet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesave social- ekonomike të punonjësve,  e konkretizuar  kjo me nënshkrimin  e kontratave kolektive,  me punëdhënësit publik dhe sipërmarrësit privatë,  me organizimin e protestave për punonjësit e Fabrikës së Çimentos ndaj bllokimit të veprimtarisë së saj prej doganës kosovare për shkak të ngritjes së taksës doganore mbi çimenton, si dhe me organizimin e  protestave të punonjësve të transportit të autoveturave  8+1. Rreth raportit të Këshillit Sindikal pati pyetje dhe diskutime nga delegatët, siç ishin ato të seksionit të shëndetësisë,  të arsimit, të Fabrikës së Çimentos, të cilët  në përgjithësi ngritën çështjet  e organizimit më të mirë të punës  së strukturave drejtuese të rrethit e të federatave sidomos në drejtim  të mbrojtjes të punonjësve nga largimet nga puna dhe ato të përmirësimit të kushteve të punës. Konferencën e përshëndeti edhe Presidenti i BSPSH-së, zoti Gëzim Kalaja, ku midis të tjerave vlerësoi punën e mirë të Këshillit Sindikal të rrethit Elbasan dhe të këshillave sindikale të seksioneve profesionale. Presidenti i BSPSH-së, në fjalën e tij, theksoi  përmirësimin e mëtejshëm të punës koordinuese midis strukturave drejtuese te rrethit e federatave, për të realizuar më mirë objektivin kryesor të sindikatës mbrojtjen e të drejtave të punonjësve. Gjithashti zoti Kalaja  i njohu pjesëmarrësit e Konferencës me politikat e qeverisë  për reformën në fushën e pensioneve, si dhe me qëndrimet e BSPSH-së ndaj skemës së sigurimeve shoqërore si atë të mosngritjes së moshës së daljes në pension, për gratë mbi 63 vjeç dhe për burrat mbi 65 vjeç si dhe për ndryshimin e formulës së llogaritjes së pensionit  jo mbi bazën e pensionit social, por mbi bazën e pagës minimale gjë që do të influencojë në ruajtjen e pensioneve të ulëta për ata pensionistë që do të dalin në pension pas 1 janarit 2015. Në përfundim Konferenca zgjedhore e Elbasanit  vazhdoi me procedurat e votimit për drejtuesin e ri të Këshillit Sindikal  si dhe të deklarimit të votave me mandate përfaqësimi për kandidatët për President të BSPSH-së. Komisioni i votimit, mbas verifikimit të votave shpalli drejtuesin  e Këshillit Sindikal të rrethit zotin Romeo Haskaj.
foto-elbasan