Tryeza për energjinë, opozita mbështetje të plotë protestave të BSPSH-së

Print

Tryeza-per-energjine221114-02-LARGE

Në një tryezë me ekspertë të energjisë dhe deputetë të opozitës, Kryetari i PD-së Lulzim Basha i kërkoi qeverisë që të mos rrisë në asnjë mënyrë çmimin e energjisë elektrike dhe të amnistojë faturat që CEZ-i u ka vendosur qytetarëve në mënyrë abuzive. Kryetari i Partisë Demokratike mblodhi në tryezë përfaqësuesit e sindikatave ( BSPSH-së), pensionistëve, të personave me aftësi të kufizuar, të biznesit dhe ekspertët e fushës, për të kundërshtuar efektet dramatike që sipas tij, do të sjellë në ekonominë shqiptare plani i qeverisë për rritjen e çmimit të energjisë dhe çmimit të naftës. Lideri i opozitës akuzoi kryeministrin Rama se po u faturon qytetarëve çmimin e dështimeve të tij në këto 15 muaj qeverisje. Sipas Bashës, qeveria ka ndërmarrë aksionin policor kundër vjedhjes së energjisë, vetëm për të larguar vëmendjen nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.  “Qeveria ka ndërmarrë këto ditë aksionin e famshëm policor me goditje të përqëndruar kundër disa vjedhësve të energjisë elektrike. Me revoltë qytetarët po pyesin ç’është kjo qeveri që kujtohet ta zbatojë ligjin me fushata dhe duke goditur kundërshtarët e qeverisë. Ligji zbatohet njëlloj për të gjithë. Fukarenjtë, më të varfrit që s’kanë me çfarë të paguajnë janë ata që goditen të parët dhe pa mëshirë. Por lepuri fle tek çmimi i energjisë elektrike. Kjo zhurmë bëhet për të hequr vëmendjen nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Sepse kështu kryeministri mendon se mund të hidhet lumi matanë pa marrë përsipër dështimin e turpshëm me menaxhimin e energjisë, skandalin e marrëveshjes me CEZ-in.”- deklaroi Basha. “Kryeministri pret të dalë nga gropa duke bërë gabime që e futën vendin në gropë. Interesi publik na sugjeron tjetër qëndrim. Qëndrimi ynë është kërkesa ndaj qeverisë që të mos rrisë në asnjë mënyrë çmimin e energjisë, por të marrë masa drastike për miradministrimin e OSHEE-së, për investime në sistem. Kërkojmë sot amnistimin e faturave abuzive të vendosura nga CEZ ndaj të gjitha familjeve shqiptare. Rama në fushatë u qante hallin fukarenjve dhe sot u çon policinë në derë”- deklaroi kreu i demokratëve.  Kryetari i PD-së theksoi vendosmërinë e opozitës për të mbështetur qytetarët në ‘betejën’ kundër rritjes së çmimit të energjisë. “Kërkojmë sot nga qeveria të mos rrisë në asnjë mënyrë çmimin e energjisë, por të marrë masa drastike për mirëadministrimin e Kompanisë së Shperndarjes, uljen e humbjeve, dhe kryerjen me emergjencë të investimeve të duhura në rrjetin e shpërndarjes. Qeveria të përmbushë detyrimet e saj para se të kërkojë sakrifica nga qytetarët. Ne kërkojmë sot amnistimin e faturave abuzive të vendosura nga kompania CEZ ndaj të gjitha familjeve”, u shpreh Basha. Sipas tij, rritja e çmimit të energjisë elektrike në një kohë kur treguesit e varfërisë janë në rritje, ndërsa treguesit e zhvillimit ekonomik dhe ato të të ardhurave për qytetarët janë në rënie të vazhdueshme, është shprehje e një cinizmi të skajshëm, karakteristik për qeveritë që humbasin çdo lidhje shpirtërore me qytetarët e vendit të tyre, çdo lidhje me realitetin. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, i akcizës së naftës dhe taksave të tjera që ka planifikuar të rrisë kjo qeveri janë paralajmërimi i sigurtë i thellimit të sigurtë të recesionit ku e futi ekonominë e vendit këtë vit. Efektet zinxhir të rritjes së çmimit të energjisë energjisë do të ndihen në produktet kryesore të konsumit për gjithë familjet shqiptare. Efektet e rritjes së akcizës së naftës do të jenë tepër negative jo vetëm për konsumatorët pa përjashtim, por edhe për ekonominë në tërësi.

Tryeza-per-energjine221114-01-S Tryeza-per-energjine221114-02-S Tryeza-per-energjine221114-03-S
     
Tryeza-per-energjine221114-04-S    

 


Ekspertët

Në këtë tryezë, eksperti Mateo Spaho ka treguar në mënyrë të detajuar efektet që do të sjellë në ekonominë familjarë rritja e çmimit të energjisë dhe rritja e çmimit të naftës.
“Kemi ndërtuar një model mbi efektet e rritjes së çmimit të energjisë dhe rritja me 12 lekë e karburanteve. Kemi llogaritur efektet që do të kenë në xhepat e shqiptare dhe në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kemi bërë një llogaritje mbi mallrat më të rëndësishme të shportës sikur çmimi të rritet vetëm 15 përqind, pra jo mesatarizimi, nga 7.7 në 8.8 dhe rritje me 12 lekë të çmimit të karburantet dhe impakti që do të ketë në rritjen e çmimit të bukës, vezës, djathit, qumështit etj. Kemi llogaritur për familjet e varfëra që marrin 30 mijë lekë në muaj dhe ato mesatare me 50 mijë lekë në muaj. Buka ka një kosto për 24 lekë për t’u prodhuar vetëm nga energjia. Meqë kostoja e një buke është pak a shumë 50 lekë, i kemi shumëzuar dhe kemi parë që do të kemi një shtesë të kostos prej 1.8 lekësh të reja. E njëjta gjë ndodh për vezën, qumështin, djathin ku kemi kontributin e energjisë elektrike në koston e tyre përfundimtare. Familjet që marrin 30 mijë lekë në muaj do të humbasin 2.5% në fuqinë e tyre blerëse vetëm nga rritja me 15% e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, pa llogaritur çmimin e karburanteve. Familjet që marrin 50 mijë lekë në muaj do të humbasin 1.5% në fuqinë e tyre blerëse dhe mirëqënien e tyre. Në fakt në produktet e shportës shumë e më shumë, dhe efekti pritet të jetë më i madh, në një kohë që rritja e çmimit e energjisë mund të jetë edhe më e madhe se 15% që e kemi llogaritur ne. Për taksën e dytë, rritjen e taksës së karburanteve. Çdo vit në Shqipëri zhdoganohen rreth 450 mijë tonelata karburantesh për të gjithë mjetet motorrike. Ka në përdorim 400 mijë makina dhe do të thotë se në vit një përdorues makine konsumon mesatarisht 1100 litra karburant. Nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë duke shumëzuar 12 lekë për litër me konsumin mesatar atëhere janë 14 mijë lekë të reja dëmi që i shkaktohet secilit përdorues makine. Nëse një familje e varfër ka një makinë, fuqia e tyre blerëse do të ulet me 3.9% ndërsa familjes mesatare me 2.3%. Kjo është ulje e mëtejshme. Por në vendet e Europës jemi të 16-tët në krahasim me 50 shtetet e kontinetit për nga niveli i çmimit. Një rritje e kësaj takse me 12 lekë do të bëjë që benzina do t’i kushtojë shqiptarit rreth 1.91 dollarë dhe nafta 1.81 dollarë. Por një europian e ka mesatarisht 3.25 herë më shumë fuqinë blerëse se një shqiptar. Që një shqiptar të paguajë 200 lekë për litër është e barabartë që një europian të paguajë 700 lekë për litër ose 5 euro. Efekti i përbashkët i këtyre dy taksave të energjisë dhe naftës, është një humbje prej 230 mijë lekësh të vjetra për çdo familje shqiptare, për familjet e varfëra me 30 mijë lekë në muaj është një humbje prej 6. 35 % të fuqisë së tyre blerëse. Për familjet me të ardhura 50 mijë lekë ka një humbje prej 3.8 % në fuqinë e tyre blerëse”, sqaroi eksperti Spaho. Ish-Kryeministri Berisha, i pranishëm në takim, i cilësoi politikat e qeverisë në favor të të pasurve dhe në kurriz të atyre që nuk kanë.  “Fasha është një detyrim për çdo qeveri të një vendi në stadin tonë të zhvillimit. Ajo është një garanci. Ndërsa tani këta që kanë më pak po tatohen dhe po u rriten taksa të paktën me 40% kurse ata që kanë me shumë dhe konsumonin për komoditetin e tyre më të madh 700 apo 800 kilovat tani do paguajnë si këta. Dhe e bën këtë ky që ngrihej kundër taksës së sheshtë 10%, tani vendos taksën e sheshtë për të varfërit dhe lehtëson ata që kanë”- u shpreh Berisha. Përfaqësuesit e grupeve të interesit u shprehën kundër planit që ka qeveria për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Presidenti i BSPSH Gëzim Kalaja fton opozitën për të protestuar me 22 Nëntor
“I nderuar z. Kryetar i PD Basha,  I nderuar Dr. Berisha! Shqiptarët po shohin me sytë e tyre varfërimin e tejskajshëm me vendimet që po merr kjo qeveri, me një kryeministër i cili nuk merret me menaxhimin e ekonomisë kombëtare. Jam këtu për të komunikuar një vendim politik të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, se ajo do të fillojë protestat me 22 nëntor, për arsye të ngritjes së çmimit të energjisë elektrike, për arsye të pezullimit të lejeve të ndërtimit në gjithë Shqipërinë, i cili ka sjellë pasoja të jashtëzakonshme, ka sjellë heshtjen e industrisë së ndërtimit që do të thotë me qindra punëtorë kanë dalë në rrugë, që çimentoja që prodhohet në Shqipëri mos të ketë treg shitjeje, që do të thotë largimin e investitorëve të huaj, mbylljen e fabrikave dhe daljen e punëtorëve të papunë. Rritjen e çmimit të karburanteve, vendosjen e 21 taksave në momentin e marrëveshjes me Fondin e Monetar Ndërkombëtar, vendosjen e 10 taksave të reja dhe mosstabilitetin e  qëndrimit të  Ministrisë së Financave ndaj taksave që u vendos shqiptarëve. Në çdo tre muaj ka një politikë shtrënguese të taksave në Shqipëri. Kjo qeveri dështimet e saj, kërkon t’ia faturojë ish- qeverisë “Berisha”.  BSPSH i bën thirrje të gjitha partive të opozitës, por edhe forcave të majta progresive, qytetarëve,  bisnesit, grupeve të interesit, të marrin pjesë në protestën e parë qytetare të BSPSH-së më 22 nëntor, në mënyrë që të parandalojmë goditjen e familjeve dhe qytetarëve shqiptare. Ky vendim politik ka një arësye shumë madhore dhe kjo ka të bëjë me funksionimin e demokracisë. Ka patur mungesë dialogu dhe vullneti politik nga ana e qeverisë dhe kryeministrit për të dialoguar me faktorët socialë në Shqipëri siç është BSPSH-ja. Ne i kemi dërguar një kërkesë kryeministrit që para tre muajve. Me anë të një letre qarkulluese që ai dërgon nëpër institucionet e tjera i kthen një përgjigje të çuditshme BSPSH-së, duke thënë se problematikën tuaj duhet ta shtroni në Këshillin Kombëtar të Punës. Ky këshill kombëtar është informal, i ngritur jo mbi baza reale,  por i ngritur sipas skemës së përpunuar nga kryeministri për të përligjur dhe për të miratuar çdo vendim që do të ndërmarrë qeveria në drejtim të ekonomisë kombëtare.  Ne e kemi abandonuar për shkak të mungesës së përfaqësisë reale të anëtarësisë në këtë këshill të BSPSH. Ne e ftuam kryeministrin të ulemi në tavolinën e bisedimeve, për të zgjidhur problemet në marrëveshje me BSPSH-në, refuzimi ishte kategorik. Çfarë duhet të bëjë sindikata?  Pra, i imponohesh që ajo të dalë në shesh dhe ne do ta bëjmë.  Situata sot është në pragun e atij momenti të 16 majit 1991 në të cilën BSPSH organizoi grevën e përgjithshme. E tillë është situata ekonomike. Prandaj ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë dhe opozitën që të jenë bashkë me ne në protestën e madhe për të parandaluar revanshin që ka marrë kjo qeveri në drejtim të varfërimit të shqiptarëve dhe se kjo protestë do të shoqërohet me ndalimin e punës në pikat më kryesore dhe kyçe të ekonomisë në të cilën BSPSH ka mundësi që ta kryejë këtë aksion kaq madhor përballë shqiptarëve”.

Basha
“PD dhe opozita janë në dialog të përhershëm me ju, me qytetarët dhe do të vazhdojë të jetë. Por, ky dialog merr rëndësi akoma më të madhe kur jemi në kushtet e shurdhërisë dhe verbërisë absolute politike të qeverisë së Edi Ramës. Ne jemi opozita dhe natyrisht kemi axhendën tonë politike, kemi dhe po ndërtojmë alternativën tonë politike, denoncojmë dhe përgatisim zgjidhje problematikës për t’ia paraqitur ato qytetarëve. Por, ne nuk kemi ndenjur dhe nuk mund të rrijmë duarkryq e të presim që zullumi i kësaj qeverie të trashet e të rëndohet në kurrizin e qytetarëve, të presim që e keqja të vazhdojë të rëndojë jetën, shëndetin, mirëqenien dhe sigurinë e fëmijëve të këtij vendi e të moshuarve e çdo qytetari. Padyshim përgjegjëse për këtë situatë është qeveria e Edi Ramës. Ndaj duke ju përgëzuar për vendimin e drejtë që merrni, dua t’u theksoj dhe njëherë mbështetjen e plotë dhe pa rezerva të opozitës për ju dhe për këdo që zgjedh rrugën e protestës popullore para një qeverie që nuk dëgjon, nuk sheh dhe që ka humbur çdo kontakt me realitetin e dhimbshëm shqiptar. Duke e bërë këtë ne nuk i shërbejmë asnjë axhende politike, se duke ftuar qytetarët të mbështesin protestën ne vejmë para çdo alternative politike dhe çdo objektivi politik, dhimbjen e mijra e mijra familjarëve për bukën e gojës, për mungesën e shanceve të punësimit, për shkatërrimin e vendeve të punës, për rritjen e çmimeve dhe bashkë me të uljen e fuqisë blerëse, pra për mjerimin që po pllakos vendin,  për  sigurinë e jetës. Nuk kemi asnjë axhendë tjetër, asnjë synim tjetër, përveç ndaljes së kësaj mynxyre që po pllakos çdo shqiptar të majtë apo të djathtë. Pa përjashtim çdo shqiptar. Ndaj përkrahjen tonë e keni dhe do ta keni të plotë.