Mblidhet Këshilli Kombëtar i Punës

Print

Këshilli-Kombëtar-Punës300315

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë shtyn deri në 31 mars afatin brenda të cilit subjektet private mund të shlyejnë detyrimet e papaguara të kontributeve të sigurimeve shoqërore për punëmarrësit e tyre. Deklarata u bë më 6 shkurt 2015  në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Punës nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, ku theksoi se ministria do t’i propozojë qeverisë miratimin e një ligji, nëpërmjet të cilit subjekteve debitore ndaj sigurimeve shoqërore do t’u falet 80 për qind e gjobës, nëse i paguajnë kontributet e vonuara për punonjësit e tyre brenda 31 marsit. Në këtë mbledhje u debatua dhe për problematika të tjera që shqetësojnë punëmarrësit dhe punëdhënësit.  

Këshilli-Kombëtar-Punës300315-02-S Këshilli-Kombëtar-Punës300315-03-S Këshilli Kombëtar Punës300315 01 S
     

Kalaja: Të rritet pensioni i minatorëve sa forcat ajrore dhe detare
Presidenti i BSPSH Gëzim Kalaja deklaroi: “ E mira ishte që të kishte televizione që ta transmetonin direkt sepse ne nuk e kritikojmë qeverinë kur janë televizionet dhe ta lavdërojmë qeverinë kur ikin televizionet. Dua t’u falenderoj sinqerisht për kontributin në lidhje me situatën e krijuar në Fushë Arrëz ku u bë e mundur zgjidhja në mënyrë urgjente e problemit të 368 punonjësve të nëntokës. Më lejoni të falenderoj dhe drejtorin e zyrës së ndërmjetësimit z. Manhasa juve zotin ministër dhe zotin Gjiknuri për realizimin e marrëveshjes, pa kaluar në grevë, mes SPMSH dhe shoqërisë “Beralb”-a, rikthimin e punëtorëve në punë, rikthimin e minatorëve të Lak Roshit në minierën e Karmës dhe vazhdimin e pagesës dhe për vitin 2015 të minatorëve të nëntokës me 120 mijë lekë në muaj.  Ju e dini se keni vizituar vetë Fushë Arrëzin dhe se kjo është pagë reale e cila është arritur nëpërmjet kontratës kolektive. Për këtë ju falenderoj. Në lidhje me rritjen e pensionit të pleqërisë të punonjësve të nëntokës sa forcat ajorore e detare, të cilën e kam shtruar dhe në mbledhjen e Bordit të ISSH-së,  SPMSH kërkon ta vendosë në axhenën e KKP.  Ne i jemi drejtuar me informacion dhe Kryeministrit. SPMSH me stukturat e saj të specializuara kanë hartuar dhe projektligjin pas konsultimit me gjithë industrinë minerare shqiptare. Ne e dijmë situatën financiare të qeverisë. Në momentin që financat e qeverisë shqiptare do të shëndoshën, SPMSH do të jetë konstante dhe këmbëngulëse për realizimin e kësaj kërkese siç u bë e mundur realizimi për uljen e moshës së pensionit për minatorët shqiptare gjë për të cilën ne ju kemi përshëndetur. Do t’u përshëndesim aq herë sa ju do të bëni për qytetarët dhe punonjësit e Shqipërisë dhe do të qëndrojmë kur ju nuk keni punuar mirë në lidhje me interesat e qytetarëve shqiptarë”

Veliaj: Patjetër që do të shqyrtohet si opsion ndoshta dhe me një ekip të përbashkët. Kalaja: Ne do t’u dorëzojmë tani dhe Projektligjin.     

Presidenti Gëzim Kalaja:  Qeveria të proncohet për të drejtën e grevës
Drejtuar: Z. Erion Veliaj,  Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Punës

I nderuar zoti Ministër,

Nga Sekretarja e Përgjithshme e Konfederatës Botërore të Sindikatave ka ardhur një shqetësim lidhur me disa qeveri, që duan të mohojnë të drejtën e grevës, nisur nga propozime të shoqatave të punëdhënësve. Ky veprim në këto vende totalitare që shkelin demokracinë që në embrionin e saj, ka shqetësuar mbarë opinionin përparimtar dhe është vendosur që më datë 18 shkurt 2015 të gjitha sindikatat filiale të Konfederatës Botërore të solidarizohen kundër ndërmarrjes së këtyre veprimtarive antihumane, në shkelje të plotë të lirive demokratike të punëtorëve, në shkelje të“ Kushtetutës së ILOS” dhe të “Kartës sociale europiane”. Ne jemi të bindur dhe është e nevojshme që qeveria shqiptare të shprehet publikisht në solidaritet të plotë me sindikatat për të drejtën e tyre për grevë të sanksionuar në nenin 51 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në shumë nene të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë dhe në Kartën Sociale Europiane, nen i ratifikuar nga qeveria shqiptare. Ështe e nevojshme zoti Ministër, që ju të shpreheni për këtë fenomen që ndodh në disa vende totalitare në botën antidemokratike.

 Kërkesa përsëritet nga Presidenti i BSPSH Gëzim Kalaja  në mbledhjen e  Këshillit Kombëtar të Punës

Prononcimi  i Ministrit Veliaj
“ Duke qenë që ne si vend e njohim të drejtën e grevës si një e drejtë kushtetuese pra e kemi të shkuar në kushtetutë ne jemi sigurisht pro. Ajo që më rezulton është bordi i guvernatorëve të ILO-s nuk ka gjetur një dakortësi. Ajo që kanë kërkuar sindikatat është që në këtë fazë të shkojnë në gjykatën ndërkombëtare për ta gjetur të drejtën e tyre. Është bërë një përpjekje që t’i lihet një shanc i fundit mbledhjes së bordit të guvernatorëve të ILO-s në mbledhjen e këtij marsi. Pra sindikatat kanë rënë dakort që ti jepet një shanc i dytë dhe në momentin që nuk bie në dakortësi do të shkohet në gjykatën ndërkombëtare. Ne jemi anëtare të kësaj organizate, kam deleguar Këshilltarin, Bashkim Salën, për përfaqësimin e Shqipërisë. Qëndrimi ynë është ai qëndrim që kemi në kushtetutë. Ne e njohim këtë të drejtë dhe ne në Shqipëri nuk kemi asnjë problem me të drejtën e grevës. Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi dhe me letër Konfederatës Botërore të Sindikatave  për qëndrimi e qeverisë shqiptare”.

Testimi i mësuesve, sindikatat e arsimit kundër
Testimi i muajit maj 2015  i 35 mijë arsimtarëve që janë aktualisht në sistemin parauniversitar ka ngjallë pakënaqësi. Sipas sindikatave të arsimit testimi që po kërkohet të bëhet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk është i bazuar në ligj. Ndonëse deklarohet se testimi për mësuesit nuk ka lidhje me vendet e tyre të punës, në mes rreshtave duket qartë se ai bëhet për t’i larguar, pra duke i hapur rrugë zëvendësimit të tyre me militantë partiakë. Mësuesit, për të rritur cilësinë e mësimdhënies duhet të trajnohen e aftësohen pa ndërprerë, të ngrihen në nivelin e vërtetë të profesionit e misionit të tyre. Por mjetet dhe rruga për të arritur këtu, nuk është ‘testi’ që pretendohet.  Përfaqësuesit e sindikatave të mësuesve kanë deklaruar  se mësuesit kanë dyshime kryesisht për besueshmërinë e testimit. Po ashtu është  konstatuar me keqardhje se të gjitha aktet nënligjore urdhrat që ka nxjerrë MAS nuk ka marrë mendimin e sindikatave që përfaqësojnë këta mësues.

Nora Malaj, Zv/ministre MAS

Në mbledhjen e KKP  Zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit Nora Malaj u shpreh rreth testimit të muajit maj të mësuesve. Ajo tha: “përsa i përket atyre që kanë 3 apo 1 vit  për të dalë në pension pavarësisht se nuk kanë arsimin përkatës do të qëndrojnë deri në mbylljen e viteve të pensionit. Ata do të përjashtohen nga çdo lloj vlerësimi. Përsa i përket vlerësimit të mësuesve, edhe një herë ‘jo testim, vlerësim’, ministria e arsimit në kuadër të politikave që bën për të realizuar të plotë programin qeveritar dhe për të dalë përpara taksapaguesve shqiptare për të thënë që në produktin që unë nxjerrë final që është kapitali human dua ta nxjerrë me këtë standard, është e detyruar të bëjë vlerësime jo për mësuesit me mbi 20 vite që ka marrë shkallët e kualifikimit, por është i nevojshëm rast pas rasti për të mirën kombëtare të bëjë vlerësime në mënyrë që të mirëorjentojë procesin e trajnimit dhe kualifikimit të tyre. Përsa i përket raporteve që kemi me sindikatën është shumë e nevojshme që në kuadër të zbatimit të ligjit 2012 të ristartojmë në lidhjen e Kontratës Kolektive”.

Testimi i mjekëve dhe infermierëve, farsa tjetër e qeverisë për reformat
Mund të konsiderohet fare mirë farsa tjetër, nisma e fundit e qeverisë për të testuar kategorinë e mjekëve dhe infermierëve në rang vendi, teksa në fakt, ata rezultojnë se janë të përfshirë në procesin e edukimit në vazhdim, çka nënkupton praktikisht perfeksionimin e njohurive të tyre përmes seminareve apo konferencave të ndryshme.  Sipas sindikatave, shoqatave, urdhrave të mjekëve dhe infermierëve kjo është një praktikë jo e drejtë e cila penalizon sektorin. Ata shprehen se janë institucionet shëndetësore që duhet të kenë përgjegjësi dhe duhet të dijnë se sa nevojë kanë mjekët e tyre për t’u kualifikuar, në ç'drejtim duhet kualifikimi. Janë institucionet shëndetësore, drejtuesit e tyre që duhet të hartojnë programet e edukimit dhe të kontrollojnë ecurinë, ta organizojnë këtë deri në fund dhe të shohin sa mjekë përfitojnë nga edukimi në vazhdim. Në vend të testohen mjekët në këtë vend duhet të testohen drejtuesit e institucioneve shëndetësore sa të aftë janë për këtë punë. Testimi vlerësohet nga sindikatat dhe shoqatat e mjekëve si një nismë për largime nga puna dhe emërime të reja në sektorin e shëndetësisë, sesa për t’i shërbyer realisht këtij të fundit. Gjë e cila në fakt nuk pranohet nga Ministria e Shëndetësisë.  Presidenti i BSPSH Gëzim Kalaja në mbledhjen e KKP i kërkoi ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja se çfarë do të bëhet me mjekët të cilët kanë deklaruar gjatë protestës në Qendrën Spitalore Universitare “ Nënë Tereza” se nuk do të marrin pjesë në testim. Ministri dha këtë përgjigje: “gjithëseicili kokën e vet mban mbi supe”. Po ashtu z. Kalaja  kërkoi në këtë  mbledhje që të hapet dhe pavioni i sëmundjeve profesionale. Ndërkohë Zv/Presiedenti i BSPSH Sami Kariqi kërkoi se a do të rriten pagat e shëndetësisë dhe arsimit?. Ministri Beqja u shpreh se rritja e pagave në sektorin publik është pjesë e asaj çfarë qeveria është e angazhuar me miratimin e Buxhetit në muajin dhjetor.