Bullgari, mbahet forumi rajonal i sindikatave të shëndetësisë dhe kujdesit social

Print

BSPSH Bullgari 130116
Në Sofie të Bullgarisë, u mbajt forumi rajonal i Sindikatave të Shëndetësisë dhe kujdesit social organizuar nga Fondacioni “Fridrich Ebert Stiftung”. Në këtë konferencë ishin të pranishëm nga BSPSH Gani Lami, Gjovalin Markvukaj, Paolo Kaceri, Luan Shtëpani.Tashmë është bërë traditë falë kontributit të FES dhe personalisht të z. Milan Jevtiç të organizohen në shtete të ndryshme të rajonit takime të cilat kanë në themel të tyre informacionin mbi gjendjen në sektorin e shëndetësisë dhe bashkërendimin e punës mes sindikatave të rajonit tonë. Pas prezantimit të pjesëmarrësve dhe pyetjes për pritshmëritë nga ky takim, përfaqësuesit e sindikatave të sektorit të shëndetësisë së rajonit raportuan ndryshimet ligjore dhe ato që janë në proces. Po ashtu u paraqitën vështirësitë me të cilat ndeshen sindikatat, ndërkohë dhe presioni i tyre mbi qeveritë në funksion të mbrojtjes së interesave sociale dhe ekonomike të anëtarësisë dhe punonjësve të shëndetësisë. Të pranishmit në këtë takim paraqitën situatën në vendet e tyre, ku u theksua se sindikatat nuk e kanë të lehtë të depërtojnë në sektorin privat. Ndërsa në sektorin shtetëror sindikatat kanë mjaft pengesa. Përfaqësuesit e sindikatave të shëndetësisë deklaruan se megjithë konstatimet e bëra ministritë e linjës nuk veprojnë në kohë, duke shtuar se në të shumtën e rasteve mungon dialogu dhe tryeza e bisedimeve për zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë punonjësit e këtij sektori. Duke prezantuar gjendjen në shëndetësinë shqiptare përfaqësuesit e BSPSH u shprehen se korrupsioni mbetet evident në këtë sektor.  Në spitale ka mungesë ilaçesh, po ashtu në disa spitale rajonale mungojnë mjekët specialistë. Buxheti i shtetit është i ulët për shëndetësinë, në të njejtën kohë dhe pagat e punonjësve. Përfaqësuesit e BSPSH  deklaruan në këtë takim se Sindikata e Pavarur e Shëndetësisë së Shqipërisë  është në riorganizim dhe se shumë shpejt do të mbahet Kongresi. Ata informuan pjesëmarrësit mbi ndryshimet që po i bëhen Kodit të Punës, ku një kontribut të veçantë ka dhënë BSPSH-ja,  së  fundmi dhe në komisionet parlamentare. Në seancën e dytë të këtij forumi u diskutua gjatë për kontratën  kolektive të punës, e cila u vlerësua nga të pranishmit si “Kushtetuta” e sindikatës. Pjesëmarrësit paraqitën gjendjen reale në vendet e tyre dhe se sa e rëndësishme është kontrata  jo vetëm në sektorin publik, por dhe në atë privat. Nga ana tjetër  theksi u vu tek shtimi i anëtarësisë dhe tek solidariteti. “ Bashkë jemi më të fortë”- Kështu tha gjatë fjalës së tij z. Milan Jevtic i cili i ftoi përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse në këtë takim që të bashkëpunojnë dhe bashkëveprojnë me njëri- tjetrin në të mirë të anëtarësisë dhe punonjësve të shëndetësisë së rajonit.  Sipas tij, duhet më shumë informacion në mënyrë që të përcaktohen qartë dhe saktë strategjitë që duhet të ndiqen për të përballuar situatat.  Fondacioni  “Fridrich Ebert Stiftung” ashtu si deri më sot do të jetë në mbështetje të çdo nisme të seicilit vend dhe çdo nisme të përbashkët të tyre. Ky mesazh u vlerësua nga të pranishmit në forumin  rajonal të Sindikatave të Shëndetësisë dhe kujdesit  social të cilët vendosën që të përgatitet dhe një deklaratë e përbashkët që do t’i dërgohet qeverive dhe ministrive të shëndetësisë.  “Sektori shëndetësor nuk është si ai tregëtar. Duhet të eleminohen sh.a-të. Ka ardhur koha e rekomunalizimit të sektorit shtetëror në shëndetësi”. Për këto dhe tema të tjera do të diskutohet në takimin e radhës që do të mbahet në Turqi në prill 2016.