Tiranë/ Përfaqësuesi i AFL-CIO takohet me drejtuesit e BSPSH

Print
There are no translations available.

AFL CIO 08 L

Fielding: “Sindikatat tona duhet të mësojnë nga Sindikata juaj, nga ju që rrëzuat diktaturën më të egër të Europës”

Kalaja: “Mundësoni hapjen e zyrës së AFL-CIO në Tiranë”

Disa ditë më parë në Tiranë, gjatë një takimi me drejtues të BSPSH-së, përfaqësuesi i AFL-CIO (sindikatat amerikane), z. Bob Fielding deklaroi se janë shumë të pakta sindikatat në botë që me grevat e tyre kanë rrëzuar komunizmin. E para është Sindikata në Poloni (Solidarnost) dhe e dyta është Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë dhe BSPSH me President, z.Gëzim Kalaja. Dhe të gjitha sindikatat e tjera sipas tij, duhet të ndjekin shembullin legjendar të këtyre sindikatave. Ndërkaq, përfaqësuesi i AFL-CIO amerikane teksa po shikonte fotografinë e z. Kalaja me liderin e Solidarnos-it, Les Valesa kërkoi të dinte më shumë për marrëdhëniet mes këtyre dy sindikatave. Kreu i BSPSH-së i është përgjigjur se këto marrëdhënie janë të shkëlqyera. Gjithashtu, përfaqësuesit të AFL-CIO, z. Bob Fielding nuk mund të mos i binte në sy “Medalja e Artë e Shqiponjës”, medalja më e lartë me të cilën është nderuar BSPSH më 12.02.2009. Pikërisht ai vendosi  gishtin tek kjo datë (12.02.2009) dhe iu drejtua z. Kalaja me fjalët: “Z. Kalaja, përveçse është merita Juaj për dekorimin e BSPSH, ju jeni dekoruar më12. 02. 2009, e cila është ditëlindja e të madhit Presidentit të 16-të të SHBA-ve, z. Abraham Lincoln, vizionar dhe luftëtar për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, ashtu si dhe ju z. Kalaja. Sindikatat tona duhet të mësojnë nga Sindikata juaj, nga ju që rrëzuat diktaturën më të egër të Europës, që luftuat për liri dhe demokraci. Ju jeni shembull për ne, ne ju kemi idhull si lider, sepse legjendarët si ju bëjnë revolucione. Asnjë nga ne në kushtet tona në Amerikë s’mund ta bëjë atë që bëtë JU. Ju jeni legjenda e Sindikalizmit Botëror” . Këto ishin fjalët e z. Bob Fielding për z. Gëzim Kalaja. Zoti Kalaja pasi e njohu përfaqësuesin e AFL-CIO me kontributin që ka dhënë dhe vazhdon të japë BSPSH në Shqipëri, ndërmjet të tjerave u shpreh se ka qenë dhe vazhdon të jetë e çmuar ndihma që ka dhënë dhe jep AFL-CIO për BSPSH-në. “AFLCIO për ne është një partner i pazëvendësueshëm”, – tha ndërmjet të tjerave z. Kalaja.
AFL-CIO ka dhënë kontribut në vitin 1991 për Sindikatën e Pavarur të Minatorëve dhe BSPSH-në në rrëzimin e komunizmit, revolucion i cili solli demokracinë në Shqipëri. Po ashtu, për lëvizjen sindikaliste, për trajnime, seminare, shkëmbime eksperiencash. Rol shumë të rëndësisshëm për lëvizjen Sindikaliste në Shqipëri ka Presidenti i AFL-CIO, z. Richard Trumka, i cili u nderua me Medalje nga z. Gëzim Kalaja në Kongresin e VI-të të BSPSH. Presidenti i Sindikatave Amerikane z. Richard Trumka , prej shumë vitesh është mik i ngushtë i z. Gëzim Kalaja. Ndërkaq, presidenti i BSPSH-së, Gëzim Kalaja, i ka cilësuar të shkëlqyera marrëdhëniet me AFL-CIO dhe sipas tij, bashkëpunimi ka ardhur duke u forcuar vit pas viti. Mes të tjerash, gjatë bashkëbisedimit shumë miqësor, z.Kalaja i kërkoi përfaqësuesit te AFL-CIO për të disatën herë t’i transmetojë sërish udhëheqjes së tij kërkesën e BSPSH-së që të mundësohet hapja e zyres së AFL-CIO në Tiranë. “BSPSH është thellësisht e bindur se hapja e kësaj zyre në Tiranë do te ishte një ndihmë shumë e madhe për sindikalizmin në Shqipëri”, – tha në takim z.Kalaja duke shtuar se ndjehej krenar dhe i lumtur për bashkëpumimin e suksesshëm BSPSH -AFL-CIO.
“Tek ju ne shohim një partner të pazëvendësueshëm, një partner që na është gjendur pranë në ditët e vështira të ’91-it dhe në vazhdim . Ju jemi shumë mirënjohës”, – u shpreh Kalaja.

AFL CIO 05 S AFL CIO 06 S AFL CIO 07 S
     
AFL CIO 08 S AFL CIO 09 S AFL CIO 10 S