Më datë 15 shkurt 2014 mblidhet Konferenca Kombëtare e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Shqipërisë. Konfirmohet solidariteti sindikalist

Print

Minatoret01-150214

Fjala e plotë e Presidentit të SPMSH, z. Gëzim Kalaja
Gjatë  gjithë kësaj periudhe janë zhvilluar konferenca dhe takime në qendrat minerare të Shqipërisë, sot janë në këtë sallë përfaqësues të industrisë minerare shqiptare.
Jemi mbledhur në Konferencën Kombëtare të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Shqipërisë siç ka vendosur Kongresi i VI i SPMSH për uljen e moshës së pensionit të pleqërisë. Qëndrimin tonë e përforcon angazhimi që ka marrë politika shqiptare në fushatën elektorale dhe mesazhi i dërguar nga Kryeministri nëpërmjet ministrit të MSR se realizimi i kësaj kërkese të SPMSH do të bëhet brenda pranverës së këtij viti. Me këtë rast ftoj në tribunën qëndrore z. Shukri Cupi kryetar i Sindikatës së Pavarur të minierës së Bulqizës, z. Dilaver Përkoxha kryetari i Konfederatës së Sindikatave për Bulqizën, z, Jonuz Xhetani Zv /president i SPMSH, z. Vlash Toplana kryetar i Sindikatës së minierave të bakrit   BERALB Fushë –Arrëz, z. Shefki Ozuni kryetari i sindikatës së industrisë minerare të pjesës jugore dhe i sindikatës së Katjelit Përrenjas, z. Qamil Hidri përfaqësues i 89 sektorëve të minierave të kromit Batër dhe Krastë. Në tribunë ndodhet dhe z. Sami Kariqi, Zv/ president i SPMSH. Në konferencë është i pranishëm z. Patrick Paskal administrator përfaqësues i minerës së Bitumit Selenicë, dhe z. Bashkim Sala Këshilltar i ministrit MSR të cilët dua t’i përshëndes. Ju propozoj 1 minut heshtje për kujtimin e 457 minatorëve të cilët kanë vdekur në nëntokë nga aksidenti. “I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre”.

Minatoret02-150214

Të nderuar kolegë, të nderuar minatorë, punonjës të nëntokës, të gjitha profesioneve, kolegë të mi që me vite  bashkë me mua mbajtët martelin në dorë në galeritë e nëntokës të minierave të Tiranës.  Sinqerisht, sot jam shumë i nderuar, ju e shikoni që nuk kam përgatitur raport, sepse fjalët që do të them jam këtu në mendjen dhe kujtimet e mija në kontaktet me ju. Sot jemi në konferencën kombëtare për të kujtuar shokët tanë të rënë në galeritë e nëntokës shqiptare, për të cilët jo vetëm ne punonjësit e nëntokës, por duhet të kenë nderimin dhe respektin e veçantë politika, ekzekutivi  , parlamenti, dhe i gjithë kombi shqiptar. Këtu fillon dhe motivimi i drejtë i kërkesës tonë. Shumë nga shokët tanë të cilët u vranë në galeritë e nëntokës, nuk kanë arritur të dalin nga thellësitë e nëntokës. Në familjet  e tyre ka shkuar arkivoli bosh i mbushur me gurë, sa që fëmijët të cilët kanë qenë në një moshë shumë të vogël e njohin babain e tyre  vetëm nëpërmjet fotografisë.  Vetëm kjo mjafton të dashur kolegë, të nderuar punonjës të nëntokës, që qeveria shqiptare, parlamenti shqiptar, politika shqiptare më tepër se kurrë në çfardolloj konflikti interesash që të jenë, të bashkohen një herë të vetme për të realizur atë që na takon ne minatorëve që kemi derdhur djersën dhe gjakun tonë në galeritë e nëntokës. E fillova kështu fjalën time, sepse ne kemi të gjallë kujtimin e shokëve tanë me të cilët kemi punuar krahë për krahë, me të cilët kemi mbushur vagonat kemi zbritur qymyrin, bakrin, kromin, hekurin, të gjitha mineralet që ka nëntoka shqiptare për t’ia dërguar si “ushqim”  industrisë shqiptare të para dhe pas 1990-ës. Qeveria, politika,  parlamenti para se të nënshkruajnë kontratat dhe marrëveshjet konçensionare duhet të mendojnë për punëtorët për minatorët. Kjo është detyra e tyre kushtetuese, kjo duhet të jetë dhe detyra e tyre humane.
Me këtë rast i bëj thirrje kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Parlamentit të gjithë grupeve parlamentare që në mënyrë urgjente të marrin në studim  dhe shqyrtim kërkesën e të gjithë mintorëve të Shqipërisë për uljen e moshës së pensionit. E thashë këtë jo pa qëllim. Ju e  shikoni në tribunën qëndrore, sot bashkë me ne ndodhen dhe përfaqësues të sindikatave të tjera, sepse kjo kërkesë e jona nuk është vetëm kërkesë e SPMSH, nuk e meritojnë vetëm anëtarët e BSPSH –së, por është dhe për ato minatorë të cilët bëjnë pjesë në sindikata të tjera dhe të tjerë që nuk bëjnë pjesë në organizatat sindikale. Buka që konsumojmë ne të gjithë nuk ka “ngjyrë politike” ajo është njësoj për të gjithë. Sot këtu nuk jemi mbledhur për të marrë ndonjë vendim, të një proteste apo të një greve.

Minatoret03-150214

Në strategjinë e SPMSH dhe BSPSH, është në radhë të parë dialogu në tryezën e bisedimeve. Vetëm në rast të dështimit të dialogut, e imponimit që mund të na bëhet, të mosdëshirës së qeverisë, të parlamentit apo të politikës shqiptare, do të na duhet të marrim vendimet përkatëse. Gjatë këtyre viteve, SPMSH ka respektuar në mënyrë korrekte, me përpikmëri legjislacionin shqiptar, Kodin e Punës, ka kërkuar dialogun në tavolinën e bisedimeve, siç e kërkojmë dhe sot, por në qëllimin final kur të gjitha kanë dështuar dhe nuk ka dëshirë për të realizuar atë që na takon, sigurisht që ne  mbajmë qëndrimin tonë. Këtë e vendosin të gjithë minatorët e Shqipërisë në përputhje me të gjitha rregullat dhe të drejtat. E dreja e grevës dhe e protestës i takon qoftë dhe një njeriu të vetëm, është e drejtë universale, janë parimet e demokracisë për të cilët politikanët tanë duhet të jenë të ndërgjegjshëm dhe besoj se janë të ndërgjegjshëm. Këtu në këtë sallë janë: përfaqësues që nga miniera e kripës së Dhrovjanit të Sarandës, nga Kalimashi, nga Tropoja, nga Bulqiza, nga 89 sektorët e Batrës dhe Krastës nga impianti i seleksionimit, nga 12 sektorët e Klosit, nga  traverbanku i Klosit, ish minatorët e Tiranës, minatorët e Përrenjasit, Korçës, Pogradecit Memaliajt. Këtu janë përfaqësuesit e të gjithë industrisë minerare shqiptare, pa dallim ngjyrash sindikaliste, por me një dallim të vetëm, me një objektiv të vetëm  që Qeveria të na realizojë kërkesën tonë të drejtë për të dalë 55 vjeç në pension. Kam marrë mendimin dhe autorizimin e të gjithë minatorëve të Shqipërisë, e punonjësve të nëntokës për të thërritur sot këtë Konferencë  e cila ka përmasat e një Kongresi shumë dinjitoz,  e cila sot kërkon, shqyrton, diskuton dhe shtron përpara qeverisë shqiptare një kërkesë madhore që duhet të ishte realizuar shumë kohë përpara, siç është ulja e moshës së pensionit për punonjësit e nëntokës. Përkrah nesh, këtu sot kemi përfaqësues të industrisë së çimentos shqiptare të cilët janë në mbështetje të padiskutueshme të punonjësve të nëntokës së Shqipërisë. Kjo është fitorja më e madhe e sindikalizmit në Shqipëri. Kushdo nga mediat, kushdo nga gazetarët për të cilët ne kemi një respekt dhe një konsideratë të veçantë mund të thotë se nuk ekzistojnë sindikatat në Shqipëri! Ne i ftojmë ato në tubimet tona, në kuvendet dhe takimet tona, iu vejmë përpara kontratat kolektive. Qeveria nuk ka mundur të ngrejë pagat e punonjësve, ndërsa SPMSH dhe BSPSH nëpërmjet kontratave që ka lidhur me kompanitë, në sajë të partneritetit midis sindikatës dhe punëdhënësve ka arritur të ngrejë pagat e punonjësve. Do t’u përmend një shifër, të kontrollohet nga kushdo, komision qeveritar, nga cilado media dhe gazetar që shprehet se nuk ka sindikata në Shqipëri, rroga e punonjësve të nëntokës ka shkuar deri në 120 mijë lekë. A jemi të kënaqur me kaq- jo nuk jemi të kënaqur!. Sindikata gjithmonë  ka kërkesat e saj. Do të luftojmë që t’i ngrejmë akoma më tepër pagat, sepse kjo përmirëson kushtet sociale të punëtorëve. Kompanitë që kanë rritur pagat kanë vlerësuar punën e madhe të punonjësve të nëntokës për nxjerrjen e mineralit. Në të njejtën kohë  kanë investuar miliona euro  apo dollarë në objektet që kanë marrë në shfrytëzim me lejet konçensionare.  I takon këtij shteti, këtij ekzekutivi, t’u krijojë këtyre kompanive lehtësirat dhe  kushtet që nga kreditë e buta deri në  ndërhyrjen për sigurimin e tregjeve. Nuk ka arsye  të merret  nga importi lëndë minerale ku nëntoka shqiptare i ka ato, ku kompanitë i mbajnë rezervë dhe që nuk mund t’i shesin sepse nuk ka treg shitje për shkak të konkurrencës që i bëhet nga importi. Ne i kemi shembujt dhe rastet. Ne këtu sot kishim ftuar për të dialoguar kryeministrin Rama, ministrin Gjiknuri, Veliaj i cili ndodhet në Amerikë dhe që ka dërguar këshilltarin e tij, kryetarët e grupeve parlamentare të  PS, PD, LSI.   Këtu ato sot do të takoheshin me Ju. Jo të gjithë anëtarët e SPMSH janë anëtarë të opozitës, ato janë anëtarë të gjithë forcave politike ose jashtë tyre. Ne kemi njohur verdiktin e sovranit më 23 qershor. Ne do të respektojmë ekzekutivin shqiptar që ka dalë nga vota e popullit. Mendoj se do të ishte shumë e rëndësishme për vetë ato prezenca e tyre këtu sot për të dialoguar me ju, për të bashkëbiseduar me ju. Ne jemi pjesë e këtij populli, pjesa më e respektuar, më e vuajtura dhe më e sakrificës, pa i fyer profesionet e tjera për të cilët kam shumë respekt. Politika duhet të ishte e pranishme në këtë konferencë për të respektuar punën dhe kujtimin e të 457 të rënëve në krye të detyrës. Fushatat shkojë e vijnë, qeveritë shkojnë e vijnë. Do t’i thosha kryeministrit nëse do të ishte këtu në këtë sallë.
Zoti Kryeministër, ashtu siç jeni angazhuar në fushatën elektorale për të realizuar uljen e moshës së pensionit për minatorët shqiptar deklarohu sërish sot përpara këtyre përfaqësuesve dhe këtyre burrave të cilët s’kanë gjë tjetër në dorë përveçse kazmën e lopatën, të cilët ne minatorët i konsiderojmë “veglat e varrit” që s’ia uroj askujt. Nëse kryeministri do ta deklaronte, unë në emrin tuaj dhe të gjithë minatorëve të Shqipërisë do ta kisha falenderuar atë pa asnjë problem në mendjen dhe bindjet e mija. Për arsye se këtu sot jam për minatorët, për të realizuar një objektiv madhor për të cilët juve ju takon dhe ne do ta marrim.  Kam bindjen që brenda gjashtëmujorit të parë do të deklarohet ulja e moshës së pensionit për minatorët e Shqipërisë. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe. Ne nuk kemi inate me politikën, por gjykoj se edhe politika nuk duhet të ketë inate me ne. Përkundrazi duhet të ndjejë respekt ndaj nesh, duhet të kishte respektuar ftesën për të qenë këtu. Unë përshëndes me mirënjohjen me të thellë ato kryeministra, që nga z. Aleksandër Meksi i cili në korrik të vitit 1992  bazuar në  kërkesën e bërë nga greva e parë e minatorëve të Tiranës në Valias dhe e mbështetur nga  minatorët e Shqipërisë, realizoi së bashku me ne pensionin e parë me 10 vite e gjashtë muaj në nëntokë 45 vjeç në pension përfituesit e së cilës mund të jenë dhe në këtë sallë. Dua të përshëndes përsëri Aleksandër Meksin i cili së bashku me të ndjerin Pjetër Arbnori ish kryetari i Parlamentit  dhe  me ish Presidentin Sali Berisha që në vitin 1995 bënë të mundur realizimin e trajtimit të parë të veçantë për punonjësit e nëntokës me 21 vjet punë dhe pa limit moshe. Duhet të përshëndes kryetarin e LSI Ilir Meta të cilin e kishim ftuar për të qenë pjesë e kësaj konference, që nga posti i Kryeministrit urdhëroi në vitin 2000 ngritjen  e grupit të punës për të realizuar trajtimin e tretë të veçantë për minatorët e Shqipërisë me një ndryshim  gjatë gjithë kohës që minatorët do ta përfitonin atë, do t’u paguheshin sigurimet shoqërore që do të financoheshin nga Buxheti i Shtetit. Dhe minatori kur të mbushte moshën e pleqërisë do të dorëzonte librezën për të marrë pensionin e plotë. Dua të përshendes ish kryeministrin Berisha i cili pas kërkesës tonë e uli moshën e daljes në pension  nga  65 vjeç  në 60 vjeç. Tani mendoj se kryeministri Rama  ka radhën për të marrë në shqyrtim dhe për të mbajtur angazhimin e tij për realizimin e uljes së moshës së pensionit për të cilin unë duhet të shpreh besimin tim se ky pension do të realizohet nisur dhe nga angazhimi që kanë marrë  tre forcat politike në fushatën elektorale. Unë kam besim se ky pension do të realizohet. Nuk mund të ketë profesion më të vështirë se sa ai i punonjësve të nëntokës.  Kam respekt të veçantë për profesionin e  aviatorit, të detarit, dhe për profesionet e tjerë. Statistikat kanë treguar se aksidentet më të mëdha kanë ndodhur në miniera. Ne na lind për detyrë të zbatojmë rregullat e sigurimit teknik, sepse nëntoka ka ligjet e saj që ju i dini po aq sa i di dhe unë. Zoti kryeministër, zotërinj deputetë!- në minierat tona minatorët punojnë në praninë e gazit metan që do të thotë: shpërthimi është i barabartë me goditjen e parë të bombës atomike dhe ju e dini shumë mirë se çfarë ka ndodhur me minierën e Selenicës ne Mborje- Drenovës në Vërdovë të Pogradecit në Krrabë e miniera të tjera. Minatorët punojnë në prani të squfurit, të gazit karbonik, të hidrogjenit dhe shumë gazrave të tjera. Vetëm një fakt po ju jap për minierat e qymyrgurit, këtu janë shumë nga minatorët që kanë punuar me mua. Sot e fusje shyllën e drurit të armatimit në galeri, pas tre ditësh kishte çelur gjethi, gjykojeni vetë se çfarë do të thotë të punosh në nëntokë. Pa harruar sëmundjet profesionale. Këto janë fakte dhe argumenta që shqiptarët duhet të marrin vesh, se cfarë ka ndodhur dhe ndodh në minierat tona
Ne do të fitojmë sepse kërkesa jonë për uljen e moshës së pensionit për punonjësit e nëntokës është e drejtë.