Fjala përshëndetëse e Presidentit të BSPSH
Të dashur vëllezër dhe motra sindikalistë,
Kjo është përshëndetja ime e parë nëpërmjet faqes sonë të internetit.
Unë ju uroj me gjithë zemër dhe përfitoj nga rasti për t’ju përshëndetur përzemërsisht të gjithë ju, anëtarë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, të gjithë punonjësit shqiptarë, që punojnë dhe derdhin djersë për të jetuar një jetë dinjitoze për veten dhe familjet e tyre, por për t’i shërbyer edhe atdheut tonë Shqipërisë.
Të gjithë ne së bashku, të dashur miq, të jemi si një grusht i vetëm në mbrojtje të interesave të punëmarrësve, të jemi partnerë të denjë në dialogun social me partnerët tanë punëdhënës dhe me qeverinë.
Kjo faqe e BSPSH-së do të jetë një urë lidhëse e sindikatës tonë me cilindo që dëshiron të marrë e të japë informacion për BSPSH-në, por edhe një referencë për të gjithë ata që duan të njihen më mirë me veprimtaritë e BSPSH-së.
Informacioni që do të serviret do të jetë aktual dhe do t’i shërbejë lëvizjes sindikaliste dhe çdo sindikalisti në Shqipëri, punëtori në punë formale e informale, pensionisti dhe të papuni.
Unë uroj që Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë të jetë vazhdimisht sindikata juaj, ajo sindikatë që të meritojë besimin tuaj dhe të vij duke u forcuar çdo ditë jo vetëm duke shtuar anëtarësinë, por duke forcuar strukturat nga baza në qendër për të qenë kështu një forcë goditëse njëkohësisht edhe mirëkuptuese në luftën e madhe për përmirësimin e problemeve sociale të punëtorëve shqiptarë.
Jam i bindur se ju do të bashkoheni me BSPSH-në me po atë forcë dhe bindje si në vitet e stuhishme 1990-1991 kur ju, nën flamurin e BSPSH-së bëtë të mundur përmbysjen e diktaturës komuniste dhe sot po me atë devotshmëri do të luftoni për rritjen e pagës tuaj, për ruajtjen e vendeve tuaja të punës dhe përmirësimin e jetës së familjeve tuaja. Në të gjithë këto veprimtari BSPSH do të jetë kurdoherë me ju.
Nëpërmjet këtij mesazhi i drejtohem edhe sindikatave motra, brenda dhe jashtë vendit, pasi solidariteti sindikalist është një forcë e madhe lëvizëse që BSPSH e ka vlerësuar vazhdimisht dhe e ka shfrytëzuar në arritjen e pikësynimeve të saj.
Pra mirësevini në faqen e internetit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.
Të nisim së bashku këtë udhë që do të shënojë suksese dhe solidaritet.
Me dashuri dhe respekt
Gëzim Kalaja
President i BSPSH