Nëse Kryeministri Rama nuk takohet me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë deri më 12 nëntor, në fund të këtij muaji do të mblidhet Konferenca Kombëtare e cila do të vendosë për protestën
Presidenti i BSPSH, z. Gëzim Kalaja në fillim të fjalës së tij para anëtarëve të Këshillit Kombëtar të mbledhur në ambientet e Hotel “ Tirana International” më 15 tetor 2014 u shpreh se Kongresi i VI-të ishte një nga kongreset më të shkëlqyera që ka zhvilluar BSPSH-ja që nga momenti i themelimit të saj. Kështu është vlerësuar edhe nga të gjitha institucionet ndërkombëtare. Për herë të parë në historinë e sindikalizmit në Shqipëri pas vitit 1990, Presidenti i BSPSH-së zgjidhet nga baza sindikaliste me votim të drejtpërdrejtë të këshillave sindikale të ndërmarrjeve dhe institucioneve, nëpërmjet votës me mandate përfaqësimi. Këshilli Kombëtar i BSPSH u mblodh me këtë rend dite: 1- Qendrimi i BSPSH –së ndaj përpjekjeve të qeverisë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. 2- Konstituimi i Këshillit Kombëtar të BSPSH-së në kuadrin e zbatimit të ndryshimeve statutore të miratuara nga Kongresi i VI.
Fjala e Presidentit Gëzim Kalaja
“BSPSH ka qenë institucioni i parë që ka bërë të ditur pasojat e marrëveshjes Qeveri – FMN. Kjo marrëveshje solli si pasojë ngritjen e moshës së pensionit për burrat dhe për gratë, vendosjen e 21 taksave të reja. Do të sjellë ngritjen e çmimit të energjisë elektrike. Para se të nënshkruhej akt-marrëveshja ishte qeveria që deklaronte se nuk do të ketë ngritje të moshës së pensionit, nuk do të ketë ngritje të çmimit të energjisë elektrike. Gjatë fushatës elektorale mazhoranca e sotme deklaronte se do të ketë ulje të çmimit të energjisë elektrike, se shëndetësia do të jetë falas, se taksat do të ulen ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm dhe do të shikohet kreditimi i biznesit të madh. Në fakt këto mbetën vetëm premtime. Ndërsa u vërtetuan shqetësimet e BSPSH ndaj Marrëveshjes së Qeverisë me FMN-në. Ekzekutivi e ka për detyrë kushtetuese dhe detyrë të venë nga BE dialogun dhe konsultimet me sindikatat dhe shoqërinë civile për probleme madhore. Asnjë konsultë nuk ka patur mes BSPSH-së dhe qeverisë për çeshtjen e nënshkrimit të marrëveshjes me FMN-në. Kur ne i bëmë kërkesën qeverisë se duhet të njihemi me marrëveshjen që do të nënshkruhet me FMN-në, ka patur një përgjigje qarkulluese. Kryeministri ia pasonte ministrit Veliaj , ministrit Gjiknuri dhe ministrit të Ekonomisë. Këto të fundit bënin të njejtën gjë, pra çdo gjë lihej mes po-së dhe jo-së. Pra, nuk ka funksionuar dialogu social me sindikatat në lidhje me marrëveshjen Qeveri – FMN. Vendosja e 21 taksave, rritja e çmimit të karburanteve dhe së fundi rritja e çmimit të energjisë dhe tatimi mbi objektet, janë masa shtrënguese që nuk janë në raport të drejtë me pagat që punonjësit marrin, sepse Kryeministri ka deklaruar se nuk do të ketë rritje të pagave dhe pensioneve. Për energjinë, të gjithë ato të cilët kanë konsumuar nga 100- 300 kwh goditen nga rritja e energjisë. Eshtë shtresa e cila do të goditet direkt nga rritje e çmimit të energjisë elektrike. Le të mos harrojmë se Shqipëria ka çmimin më të lartë në rajonin ballkanik pas Kroacisë. Kur aftësia e rrjedhjes së lumenjëve tonë dhe grumbullimit të ujit është më e madhja në rajonin ballkanik. Ne nuk mund të pranojmë ngritjen e çmimit të energjisë elektrike sepse qeveria nuk është në gjendje të bëjë të mundur të paguhen faturat nga të gjithë qytetarët shqiptarë. Gjysma e popullsisë e cila është korrekte me pagesën e çmimit të energjisë duhet të paguajë për gjysmën tjetër e cila nuk paguan për energjinë e konsumuar. Rritja e çmimit të energjisë elektrike siç u deklarua dhe në Kongresin e VI-të është e papranueshme për BSPSH-në. Përshëndes të gjithë të rinjtë dhe të rejat të cilët në rrjetet sociale kanë kundërshtuar dhe kundërshtojnë rritjen e çmimit të energjisë të gjithë qytetarët dhe shoqërinë civile. Dua t’i siguroj ato siç deklarova dhe në kongres se BSPSH dëshiron dialogun me qeverinë për këtë problem dhe për probleme të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë kombëtare, ashtu sikundër bëri në shkurtin e vitit 2011 që firmosi marrëveshjen me qeverinë shqiptare e cila solli mosrritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ne duam ripërsëritjen e marrëveshjes. I kemi kërkuar takim kryeministrit Rama në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe për probleme të tjera, i kemi dhënë afatin deri më 12 nëntor, që ai të dëgjojë mendimit tona, që të bëhet një marrëveshje e përbashkët, që të përcaktohet me detaje nga grupet e punës se cilat do të jenë shtresat që do subvencionohen nga shteti. Nuk shkojmë ne për show mediatik për t’u takuar me kryeministrin, por për të dhënë mendimet tona të studiuara. Kryeministri e ka për detyrë të presë BSPSH-në, nuk varet nga dëshira e tij e don BSPSH-në, apo nuk e don atë. Nëse deri më 12 nëntor kryeministri nuk do të dialogojë me BSPSH-në, në fund të këtij muaji, BSPSH do të thërrasë Konferencën Kombëtare në të cilën do të marrin pjesë 500 delegatë nga e gjithë Shqipëria për të vendosur për protestën e cila do të shoqërohet dhe me grevat në pikat kyçe dhe strategjike të ekonomisë shqiptare. Kjo lëvizje imponohet nga heshja e qeverisë për të dialoguar me BSPSH-në. Ne i bëjmë thirrje qytetarëve, shoqërisë civile, forcave politike të majta dhe të djathta që të rreshtohen me BSPSH-në”.
Këshilli Kombëtar votoi thirrjen e Konferencës Kombëtare dhe për delegimin që kjo konferencë të miratojë fillimin e protestave, nëse Qeveria nuk ulet të dialogojë me BSPSH-në brenda 12 nëntorit.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, Presidenti i BSPSH-së, z. Gëzim Kalaja përshëndeti Kryeministrin në lidhje me realizimin që i bëri kërkesës së Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Shqipërisë dhe BSPSH-së, për uljen e moshës së pensionit për minatorët në 55 vjeç. “Kjo është një fitore e madhe dhe e shkëlqyer e SPMSH dhe BSPSH. Me këtë deklarim ne i tregojmë opinionit publik dhe qeverisë shqiptare se BSPSH është institucioni serioz i cili deklaron të vërtetën dhe të vërtetat janë të ndryshme. Një realizim që i ka bërë kërkesës së BPSSH-së dhe mungesën e vullnetit që ka qeveria shqiptare për të dialoguar me BSPSH-në në lidhje me çmimin e energjisë elektrike” -tha z. Kalaja.
Në fund, Presidenti i BSPSH-së, zoti Gëzim Kalaja, referuar kompetencave statuore për konstituimin e organeve vendimmarrëse, i bëri të njohur mbledhjes vendimin e Asamblesë Kombëtare të BSPSH-së, datë 7 Shtator 2014, mbi përbërjen e Këshillit Kombëtar me përfaqësues nga strukturat qëndrore të BSPSH-së, përfaqësues nga federatat profesionale, nga rajonet si dhe 5 përfaqësues nga seksionet profesionale më të përfaqësuara në BSPSH-së.Në bazë të vendimit të mësipërm u miratua përfundimisht lista e anëtarëve dhe e kandidatëve të Këshillit Kombëtar të BSPSH-së.