Në eventin e organizuar me rastin e 25-vjetorit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ishte i pranishëm edhe një delegacion i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Në këtë organizim perfekt të kolegëve kosovarë të BSPSH-së, ishin të pranishëm edhe shumë personalitete të Konfederatës Botërore të Sindikatave (ITUC) z. Jaap Wienen, znj. Enisa Salimoviç, Konfederata Hak-is dhe federata të Turqisë, po ashtu dhe nga Maqedonia. Takimin e përshëndeti dhe ministri i Punës së Kosovës.
Presidenti i BSPSH-së, z. Gëzim Kalaja, u nderua me medaljen e mirënjohjes “Për bashkëpunim të suksesshëm dhe për mbështetjen dhe afirmimin e punës së BSPK-së”. Me medalje u nderuan Jaap Wienen(ITUC) dhe të tjerë të cilët kanë dhënë dhe vazhdojnë që të japin një kontribut të çmuar për lëvizjen sindikaliste në Kosovë. Pjesmarrësve iu shpërnda dhe një botim (monografi).
Fjala e Presidentit të BSPSH, Gëzim Kalaja
“Të dashur vëllezër e motra sindikalistë të Kosovës!
Sot është një ditë e veçantë për ju sindikalistët kosovarë, por edhe për ne sindikalistët shqiptarë. Ne jemi vëllezër të një gjaku, ne i takojmë të njëjtit komb, ne flasim gjuhën e bukur shqipe, ne kemi të njëjtët heronj të rilindjes e të lirisë, por ne kemi edhe të njëjtat doke e zakone. Ne i duam e i mirëpresim me zemër miqtë, prandaj sikundër ju, që sot keni festën tuaj, edhe ne, i urojmë mirëseardhjen shqiptare të gjithë atyre që nderuan sot Prishtinën heroike, Prishtinën sindikaliste e shqiptarët e saj. Kanë kaluar 25 vite lufte e përpjekjesh kolosale për sindikatat e Kosovës. Natyrisht në fillim të kësaj lufte ne ishim vetëm, por sot këtu janë plot miq e dashamirë. Sindikatat tona si kjo e Kosovës por edhe e Shqipërisë janë relativisht të reja krahasuar me sindikatat mike në Europë e në botë në internacionalet e të cilave ne jemi anëtarë e kandidatë, por kjo periudhë për ne ka qenë një periudhë mësimi, eksperience, lufte e solidariteti për të arritur konsolidimin e sindikatave tona. Ne jemi integruar në sindikatat botërore e Europiane me miq e kolegë të nderuar, me sindidikalistë me të cilët na lidh një solidaritet e me të cilët po punojmë bashkërisht si së fundmi edhe me Sindikatën turke Hakish. Unë, sot, të dashur vëllezër, me miq si Haxhi Arifi dhe sindikalistët kosovarë ndihem edhe më i fortë në krye të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, sindikatës historike, që përmbysi diktaturën komuniste në Shqipëri dhe sot është plotësisht e një tipi europian perëndimor në mbrojtje të interesave të anëtarësisë së saj dhe problemeve sociale të mbarë popullit shqiptar, që sheh tek BSPSH-ja aspiratat e një jete më të mirë e më të lumtur . BSPSH-ja është partnerja dhe mikja strategjike e BSPK-së. Në këto 25 vite ne kemi qenë gjithnjë bashkë. Kemi luftuar gjithnjë bashkë. Kemi punuar e kemi organizuar aktivitete të përbashkëta, që i kanë shërbyer anëtarësisë sonë. I jemi gjendur njëri-tjetrit në të mirë e në të keq sikundër thotë populli ynë, sepse kështu bëjnë vëllezërit me njëri-tjetrin dhe ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku në dobi të punëtorëve shqiptarë e kosovarë. Puna jonë dhe bashkëpunimi ynë do të jetë edhe më i madh edhe më i fuqishëm, sepse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për sfidat e mëdha që na presin. Lëvizja sindikaliste mbarë botërore po kalon probleme madhore për punëtorët në mbarë botën. Sindikatat tona, si gjithnjë, do të jenë në mbrojtje të punëtorëve shqiptarë e kosovarë, ndaj edhe strategjia jonë e së ardhmes do të jetë punë e luftë e përbashkët për përballimin e sfidave të mëdha si në fushën ekonomike, ashtu edhe në atë sociale. Vitin që vjen edhe BSPSH-ja mbush 25 vjetorin e krijimit të saj dhe kjo ditë për ne do të jetë historike, sepse shënon arritje të mëdha për punëtorinë shqiptare.
Të dashur miq!
Sot është një ditë jubilare ndaj edhe fjalët do të jenë të pakta për t’i lënë radhë festimeve, por nuk mund të rri pa përmendur dashurinë vëllazërore të sindikalistëve shqiptarë dhe kosovarë, nuk mund të lë pa sjellë përshëndetjet vëllazërore që jam i autorizuar t’i sjell sot këtu, përshëndetje, që burojnë nga zemrat e pastra, punëtore dhe të sakrificës së vëllezërve tuaj nga Shqipëria.
Ju uroj me gjithë zemër të dashur vëllezër 25-vjetorin e sindikatës suaj.
Rroftë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës
Rroftë Solidariteti sindikalist ndërkombëtar
Rroftë e u forcoftë vëllazërimi i sindikalistëve shqiptarë e kosovarë”.