Në këtë seminar morën pjesë 30 sindikalistë nga qyteti i Elbasanit dhe Prenjasit, kryesisht kryetarë dhe anëtarë të këshillave drejtuese të sindikatave të; ndërmarrjeve të minierave, çimentos, shëndetësisë, arsimit, CEZ Shpërndarje si dhe përfaqësues të Forumit Rinor të Elbasanit.
Në këtë veprimtari, nëpërmjët temave të përgatitura nga Departamenti i Edukimit dhe Departamenti Juridik i BSPSH-së, pjesëmarrësit u njohën me një historik të shkurtër të krijimit të Bashkimit Evropian, me konkluzionet e raportprogresit të BE –së për sindikatat, si dhe rolin që luan BSPSH në zhvillimin e dialogut social me partnerët socialë dhe Qeverinë, si normë demokratike dhe strategji e sindikatës për rritjen e rolit të saj si faktor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Në këtë veprimtari merrte pjesë edhe Presidenti i BSPSH-së, zoti Gëzim Kalaja, i cili prezantoi një panoramë të përgjithshme të situatës ekonomike e sociale në vend duke u ndalur në mënyrë të veçantë në strategjinë e BSPSH-së për të ndërtuar një dialog konstruktiv me partnerët socialë, në nivel qëndror dhe lokal, veçanërisht me punëdhënësit, në kushtet e pasojave të krisëz globale, si dhe përpjekjet e bëra nga BSPSH për respektimin nga Qeveria të Marrëveshjes tripalëshe të nënshkruar vitin e kaluar midis partnerëve socialë.
Gjatë trajtimit të temave dhe diskutimit të pjesëmarrësve u evidentua roli i sindikatës në një vend demokratik dhe domosdoshmëria e zhvillimit të një dialogu social konstruktiv, si normë dhe kërkesë e BE-së.
Me shumë interes u realizua një punë në grup, ku pjesëmarrësit trajtuan rolin e sindikatës, kompetencat që i jep asaj legjislacioni i punës për problemet sociale dhe kontratën kolektive si një akt ligjor që i shërben sindikatës për mbrojtjen e anëtarësisë së saj.
Gjithashtu u ndalëm në 12 kërkesat e BE-së për pranimin e Shqipërisë si vend kandidat dhe ku ajo e sheh veten e saj si faktor i rëndësishëm lidhur me marrëdhëniet e punës, si dhe problemet sociale të punëtorëve shqiptarë.
SEMINAR RAJONAL I ZHVILLUAR NË RRETHIN E ELBASANIT FINANCUAR NGA FONDACIONI FRIEDRICH EBERT STIFTUNG