Firmoset Kontrata Kolektive e Punës mes SPMSH dhe Shoqërisë “ Iliria Electric”, punonjësit përfitojnë rritje page
Më 12 korrik 2016 organizata sindikale e shoqërisë “ Iliria Electric” anëtare e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Shqipërisë bazuar në vendimin e Këshillit Sindikal të një dite më parë zhvilloi një grevë paralajmëruese një orëshe me turnin e parë dhe të dytë pas dështimit të negociatave disa javore me objekt: “Rritjen e pagës në natyrë në masën 200 lekë për ditë pune”. Në orën 07.00 dhe në orën 14.00 të kësaj dite Presidenti i BSPSH-së dhe SPMSH-së Gëzim Kalaja, i shoqëruar nga Zv/Presidenti i BSPSH-së dhe SPMSH Sami Kariqi, nga Instruktori i organizmit Hiqmet Melasi dhe nga Drejtori i informacionit i gazetës “Sindikalisti” Luan Shtëpani deklaroi para punonjësve të mbledhur në sheshin para ndërmarrjes për grevë, se do të kenë të gjithë mbështetjen e institucionit që ai drejton për të realizuar kërkesën e tyre për rritjen e pagës në natyrë. Ai bëri me dije se me përfundimin e kontratës kolektive SPMSH ka realizuar disa takime me përfaqësuesit e shoqërisë ku është rënë dakort parimisht nga palët që të firmoset një kontratë e re me afat 5 vjeçar. E vetmja pikë, që nuk pranohet nga punëdhënësi është rritja e pagës në natyre në masën 200 lekë për ditë pune. Në këtë situatë -tha z. Kalaja- ne jemi të detyruar të marrim veprimet tona bazuar në Kodin e Punës për të realizuar këtë kërkesë. Pas fjalës së z. Kalaja punonjësit u shprehën se do të qëndrojnë të palëkundur dhe se mbështetja e vazhdueshme e sindikatës i bën ata të jenë më të fortë dhe më të vendosur. Në shkresën drejtuar drejtorit administrativ të shoqërisë “ Iliria Electric” Aldo Arditi që mban firmën e komisionit të grevës dhe e miratuar nga Presidenti i SPMSH-së z. Gëzim Kalaja bëhej me dije se komisioni i grevës i ka dorëzuar administratës së shoqërisë, konkretisht z. Idlir Lalo procesverbalin e vendimit të këshillit sindikal dhe të komisionit për vazhdimin e grevës. Me kërkesën e administratorit të ndërmarrjes, komisioni i grevës pranoi vazhdimin e negociatave për 24 orë ku nëse nuk do të kishte një përgjigje pozitive do të kalohej në grevë pa afat duke respektuar të gjithë procedurat e Kodit të Punës. Në prani të z. Kariqi, z. Xhetani, z. Melasi dhe komisionit të grevës një kopje e kësaj shkrese iu dorëzua dhe përfaqësuesit të shoqërisë. Por, gjithçka do të mbyllej shpejt, me pranimin e kërkesës nga ana e punëdhënësit, shoqëruar me entusiazmin dhe brohoritjet e punëtorëve për sindikatën dhe për fitoren që arritën. Kështu pra, në saj të vendosmërisë, unitetit dhe rezistencës së sindikatës dhe punonjësve, u bë e mundur të realizohet rritja e pagës në natyrë për punonjësit, e cila tashmë është e parashikuar në Kontratën Kolektive të Punës. Bazuar në këtë kontratë me afat 5 vjeçar, punonjësit do përfitojnë rritje page prej 5200 lekë në muaj, kushte dhe siguri në punë, etj. Përveç këtyre përfitimeve kjo greve dha një mezash të qartë për të gjithë punonjësit e ndërmarrjeve pranë “ Iliria Electric” të cilët ishin shumë të interesuar se çfarë po ndodhte dhe se si do të ishte përfundimi. Këta punonjës të pasindikuar, u bënë dëshmitarë të grevës dhe rolit të pazëvendësueshëm që ka sindikata për mbrojtjen e interesave social -ekonomike të punëtorëve.