Aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale janë një tragjedi jo vetëm për të aksidentuarit, por edhe për familjet e tyre, komunitetin dhe ekonominë. Një rol të rëndësishëm në reduktimin dhe eleminimin e tyre luajnë sindikatat dhe shoqëria civile si dhe të gjithë aktorët e tjerë që veprojnë në fushën e punës. Në këtë kuadër është ngritur dhe funksionon Rrjeti Ballkanik i Sigurisë e Shëndetit në Punë, BALcanOSH.net, me partner në Shqipëri Qendrën Shqiptare të Sigurisë e Shëndetit në Punë (AOSHC) e cila drejtohet nga znj. Frosina Gjino. Ky rrjet me financim të Bashkimit Europian po zhvillon në rajonin e ballkanit projektin:
"Rritja e kapaciteteve dhe forcimi i rolit të organizatave të shoqërisë civile rajonale për përmirësimin e kushteve të punës dhe dialogut të punës me institucionet publike".
Në kuadër të projektit më 27 shtator 2016, u zhvillua në Tiranë një aktivitet ku rrjeti BALcanOSH.net ftoi për bashkëpunim sindikatat, organizatat e shoqërisë civile, institucionet shtetërore, organizatat e medias, përfaqësues të sektorëve përkatës si dhe gjithë palët e interesuara.
Qëllimi i aktivitetit
Identifikimi i nevojave, mangësive dhe problemeve që hasin organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat e medias, për përfshirjen e tyre në politikbërje; vendosja e partneritetit në procesin e vendimmarrjes; inkurajimi i dialogut për të rritur bashkëpunimin ndërmjet organizatave rajonale dhe institucioneve publike për përfshirje sociale dhe përmirësimin e kushteve të punës; krijimi i bashkëpunimit dhe krijimi i partneritetit rajonal ndërmjet rrjetit BALcanOSH.net dhe organizatave të shoqërisë civile (OSHC-ve) në rajonin e IPA-s; lehtësimi në shkëmbimin e njohurive, aftësive dhe lidhjeve si dhe rritja e zgjerimi i ndikimit të tyre në fushatat e avokatisë, planeve strategjike operative dhe politikave në nivel kombëtar dhe rajonal; ngritja e ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e praktikave profesionale, çështjeve sociale dhe organizatave të shoqërisë civile.