Më 30 gusht 2014, në ambientet e Hotel “ Tirana International” zhvilloi punimet Konferenca e VI-të e BSP Prefektura Tiranë. Fjalën e hapjes e mbajti ish kryetari i komisionit nismëtar për themelimin e BSP të Tiranës z. Hiqmet Melasi i cili u shpreh se disa vite më parë si institucione të pazëvendësueshme për sistemet pluraliste dhe demokratike, lëvizja sindikale si kudo dhe në vendin tonë luajti një rol me rëndësi jetike. Jemi dëshmitarë të themelimit dhe organizmit të BSPSH-së e cila lindi si refleks i lëvizjeve dhe zhvillimeve të vrullshme për demokraci në vitet ’90 –’91. Dhe qysh në fillimet e saj ajo u shfaq jo vetëm si mbrojtëse e intersave sociale dhe ekonomike të punonjësve, por dhe si bartëse e ideve për ndryshime e progres demokratik dhe si e tillë për nga pjesëmarrja, shtrirja dhe fuqia e aksionit sindikal, ajo rriti ndjeshëm reputacionin e saj në masat e punëtorisë për shpresat e së ardhmes. Parë në këtë këndvështrim sot dhe arritjet gjatë këtyre viteve, gjëndja reale tregon dhe kërkon rritjen e kuotave të shpresës dhe epërsisë që ka e mbart ekonomia sociale e tregut në një vend si i yni që lufton për demokraci dhe integrim në europë. Si një ndër nismëtarët për organizimin e lëvizjes sindikale në ’90 –’91, z. Melasi i bëri thirrje delegatëve të kësaj konference, strukturave dhe këshillave sindikale të ndërmarrjeve dhe institucioneve dhe të zgjedhurve që do dalin nga kjo konferencë që boshti i veprimtarisë sindikale në të ardhmen të jetë: “përkushtim, përkushtim për gjallërimin dhe rinovimin e lëvizjes sindikale, për koordinimin e saj me efikasitet, për të realizuar dhe vënë në jetë mesazhin sindikalisto- dhjetoral të ’90… drejtësi sociale, dinjitet, pavarësi dhe solidaritet sindikalist, për mbrojtjen e interesave social – ekonomike të punonjësve nëpërmjet strategjisë tashmë të konsoliduar të BSPSH-së ‘dialog –protestë- dialog’ ” . Më pas, z. Haxhi Meçuli lexoi një deklaratë në emër të komisionit të verifikimit të mandateve.
Raportin e mbajti Kryetari i BSP Tiranë z. Gani Lami i cili u shpreh se është krenar, por edhe e ndjen veten mirë që ka qenë në krye të një sindikate që ka në radhët e saj punëtorët e Tiranës, që u ngritën mbi diktaturën 50 vjeçare për të aspiruar një ëndërr të madhe atë të lirisë e të demokracisë. Nga foltorja e konferencës ai përshëndeti të gjithë punëtorët e Tiranës, në ndërmarrjet e prodhimit, të shërbimeve, të turizmit, gratë e palodhura të fasoneve e të gjithë intelektualët, për punën e tyre në shërbim të njerëzimit, për kontributin e tyre për demokracinë në Shqipëri, për inteligjencën, mirësinë dhe mirëkuptimin që sjellin nëpërmjet punës së tyre në çdo familje shqiptare. Sipas tij, në krye të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Tiranës ka qenë një këshill drejtues i përbërë nga përfaqësues të të gjitha degëve të ekonomisë që veprojnë në qytetin tonë. Ky këshill ka patur unitet veprimi dhe mendimi dhe ka përballuar situata jo të lehta. Po sipas z. Lami, BSP Tiranë ka patur ndihmë të pakursyer nga BSPSH dhe Presidenti zoti Gëzim Kalaja të cilin ai e falenderoi për gjithçka ka bërë dhe bën për sindikalistët e qytetit tonë. Kryetari i BSP Tiranë vlerësoi Paktin e Mirëkuptimit Social që u lidh nga BSPSH dhe Qeveria “Berisha”. Kjo marrëveshje pati dhe realizimet si më poshtë: U mbajt stabël çmimi i energjisë elektrike, u rrit paga minimale po ashtu u rritën pagat në sistemin e arsimit e shëndetësisë. Nga kjo konferencë ai i bëri këtë apel qeverisë shqiptare: “Hapi dyet që ke mbyllur hermetikisht për punëtorët dhe sindikatën e tyre, zhvillo dialogun social si normë demokratike, sepse të shërben edhe ty, përveç sindikatave”. Në raport u theksua se Këshilli i Tiranës ka bashkëpunuar me Drejtorinë Rajonale të punësimit, bashkëpunim i cili ka konsistuar në shkëmbimin e ndërsjellë të dialogut social, në informacionet për tregun e punës dhe nevojat e këtij tregu, për konfliktet që kanë lindur në implementimin e kontratave kolektive të punës, ankesat e punëmarrësve ndaj kompanive private e atyre publike, formimin profesional të punëtorëve, etj, Janë nënshkruar dhe regjistruar në Drejtorinë Rajonale të Tiranës 141 kontrat kolektive të punës të nivelit të dytë. Eshtë krijuar një partneritet shumë i sigurtë me Bashkinë e Tiranës duke lidhur një aktmarrëveshje funksionale që mbron më së miri interesat e punëtorëve të ujësjellës-kanalizimeve, pastrim-gjelbërimit, punëtorët e ndërmarrjeve të bashkisë 1,2,3. Bisedime e marrëveshje janë bërë edhe me Këshillin e Qarkut e Prefekturën e Tiranës. Një vëmendje të veçantë, këshilli i Tiranës i ka kushtuar sigurisë dhe shëndetit në punë. Mbetet si detyrë që në zbatim të ligjit të sigurisë dhe shëndetit në punë të bashkëpunohet me punëdhënësit për perfeksionimin e kushteve të punës, por edhe për shëndetin në punë, duke bërë të mundur ngritjen dhe funksionimin e këshillave të shëndetit dhe sigurisë në punë, të cilat nuk janë ngritur në shumë ndërmarrje duke nënvleftësuar rreziqet dhe aksidentet në punë. Po ashtu është kërkuar mjeku në ndërmarrjet me mbi 20 punëmarrës. Gjithashtu në raport u kritikua marrëveshja Qeveri – FMN e cila do të rëndojë më shumë jetën e shqiptarëve. BSP Tiranë rëndësi të veçantë i ka kushtuar formimit nëpërmjet edukimit që është realizuar më mirë nga viti në vit. Në saj të mbështetjes së BSPSH, nëpërmjet trajnimeve të organizuar prej saj si me fondet e vetë BSPSH-së, ashtu edhe me projektet e realizuara për BSPSH nga Fondacioni “Fredrich Ebert Stiftung”, janë trajnuar mjaft drejtues nga sindikatat e Tiranës, si dhe drejtues të bazës sindikaliste të qytetit tonë, por edhe të rrjeteve rinore e të gruas. Tematikat e trajnimeve të zhvilluara në këto pesë vite kanë qenë të larmishme. Ato i kanë shërbyer aktualitetit dhe nevojës për të siguruar një kontigjent sindikalist të mirëarsimuar profesionalisht nga ana sindikale dhe një lidership i gatshëm për të përballuar sfidat. Trajnimet e zhvilluara gjatë këtyre viteve vetëm për rajonin e Tiranës numërohen mbi 25 kryesisht për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe këshillat e sigurisë dhe shëndetit në punë. Pagat, formimi profesional, kontrata kolektive e punës dhe elementet e saj, tregu i punës dhe domosdoshmëria e sindikatës për të ndikuar në të, puna informale dhe lufta e sindikatës për minimizimin e saj, roli i medias dhe bashkëpunime me të, roli i sindikatës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryetari i BSP Tiranë deklaroi se kontributi i Presidentit të BSPSH z. Kalaja, i departamentit të edukimit dhe shkollën sindikaliste të BSPSH-së në realizimin e këtyre trajnimeve ka qenë i madh. Nga ana tjetër ai vlerësoi Sekretariatin e Organizimit për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë BSP Tiranë.
Në fund të fjalës së tij z. Gani Lami u shpreh se nuk duhen neglizhuar shfaqet negative të shkeljes së ligjit tashmë nga qeveria e ardhur rishtaz në pushtet. BSP Tiranë është ndeshur me pushime masive nga puna edhe në rastet kur kontratat e punës kanë funksionuar. Kjo flet për një arrogancë pushtetare që sindikatën duhet jo vetëm ta shqetësojë, por ta bëjë të shohë pozicionin e saj. Solidariteti do të na mbajë shtrënguar fort me konfedratën tonë historike dhe europiane Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.
Fjala e Presidentit të BSPSH
Kalaja: Zgjedhja e lidershipit të BSPSH nga baza, një nga arritjet më të mëdha të sindikalizmit në Shqipëri. Bashkimi i sindikatave në një të vetme, BSPSH e gatshme për Kongres mbarëkombëtar
“Jam i nderuar që jam sot me ju. Pa dashur të futem në histori, BSPSH ka qenë organizata kryesore që ka dhënë kontributin e saj madhor dhe historik në përmbysjen e diktaturës në Shqipëri dhe hapjen e rrugës së pluralizmit dhe të demokracisë. Juve ju takon historia, sukseset dhe të gjitha arritjet. BSPSH ka një vit që zhvillon konferencat zgjedhore në të gjithë rrafshin kombëtar të sindikatave të profesioneve, njëkohësisht dhe të rajoneve në territorin e vendit tonë. Kanë qenë konferencat më të shkëlqyera, që janë zhvilluar gjatë këtyre viteve, për nga koha që janë mbajtur, temat që janë trajtuar, kërkesat që janë bërë, për zgjedhjen e lidershipit, njëkohësisht për përfaqësueshmërinë e delegatëve në Kongresin e VI-të të BSPSH-së. Në historinë e sindikalizmit shqiptar, lidershipi i BSPSH-së zgjidhet për herë të parë nëpërmjet këshillave sindikale dhe seksioneve pjesë përbërëse e BSPSH. Kjo do të thotë se zgjedhja e presidentit nuk është më atribut vetëm i delegatëve të kongresit, por është atribut i të gjithë antarësisë sindikaliste. Ky është një guxim, është të ngresh më lart funksionimin e demokracisë së brendshme në BSPSH. Kjo është një nga arritjet më të mëdha të sindikalizmit në Shqipëri. BSPSH e ka deklaruar dhe do ta deklarojë në Kongresin e VI-të se është e gatshme për të zhvilluar një Kongres mbarëkombëtar të të gjitha sindikatave shqiptare për një bashkim të të gjithë punonjësve të Shqipërisë në një sindikatë të vetme. Unë i ftoj ato, që të marrin të njejtin vendim siç ka marrë BSPSH. Kjo do të ishte një nga fitoret më të mëdha të sindikalizmit dhe një mësim tregues për politikën shqiptare e cila në momentet historike që kalon Shqipëria, për të mirën e popullit dhe punonjësve të Shqipërisë, duhet të jetë e bashkuar për të përmirësuar situatën sociale dhe ekonomike dhe e ndarë nga idetë që ato përfaqësojnë. Kjo do të ishte arritja më madhore për sindikalizmin, qytetarët dhe të gjithë punonjësit e Shqipërisë. Në saj të aktmarrëveshjes së arritur me qeverinë “ Berisha” ne vitin 2011, për herë të parë në historinë e sindikalizmit u arritën realizime madhore. Në Kongresin e V-të ne morën angazhimin që për mësuesit, për punonjësit e shëndetësisë, etj të realizonim rritjen e pagave në mënyrë dinjitoze dhe e arritëm. Kryeministrit Rama deklaronte në fushatë se pagat e mësuesve janë në një nivel shumë të ulët dhe të punonjësve të shëndetësisë dhe se kur ai të ishte në qeveri ato do ishin shumë më të larta dhe shumë më dinjitoze. Sot në postin e kryeministrit ai deklaron dhe nga Berlini për reforma të thella të cilat do të kenë një kosto shumë të rëndë –citoj fjalët e tij- jo vetëm për punonjësit e Shqipërisë, por për të gjithë qytetarët. Askush nuk është kundër reformave, por ato nuk janë atribut i asnjë qeveria. Ato vijnë pas një konsultimi të gjërë me faktorët kryesor që janë në Shqipëri dhe jo me ato që krijon t’i zoti kryeministër nëpërmjet emërtesës ‘shoqëri civile’ të cilët kanë vetëm veten në tavolinën e bisedimeve. Ne do të ndihmonim në bërjen e reformave, sepse është e vetmja mënyrë për të dalë Shqipëria nga kolapsi në të cilën ndodhet. Jemi plotësisht dakort, por kjo duhet të vijë pas një konsultimi të gjerë, pas një mendimi kolegjial nga të gjithë faktorët kryesor në Shqipëri, qofshin ato sindikalistë, qofshin të shoqërisë civile reale dhe të partive politike parlamentare dhe joparlamentare. Ky do të ishte veprimi më i mençur dhe më inteligjent i ekzekutivit shqiptar. Nga kjo konferencë i jap një mesazh sindikatës së arsimit dhe punonjësve të shëndetësisë, të jenë të kujdesshëm, të konstatojë dhe të jenë këmbëngulës në mbrojtjen e vendeve të punës së mësuesve. Qeveria e ka për detyrim kushtetues që çdo qytetari shqiptar t’i sigurojë vendin e punës për të patur të ardhura, për të mbajtur familjen e tij. Me anë të lëvizjes sonë, arrritëm të konkretizojmë më në fund që minatorët të dalin 55 vjeç në pension. Do të nxjerrim dhe ato me trajtimin e veçantë që kanë mbushur moshën 55 vjeç. Nëse qeveria nuk do t’i qëndrojë angazhimit të deklaruar me anë të ministrit dhe kryeministrit që më 1 janar 2015 minatorët dalin në pension 55 vjeç, 600 minatorë do të jenë të gatshëm jo për grevë urie, por për të zhvilluar protestën e tyre në nëntokë. Ato do të mbështeten nga e gjithë industria minerare dhe nga industria e rëndë në sipërfaqe. Sot, Rama thotë se nuk do të ketë rritje pagash, se nuk do të ketë rritje pensionesh, se nuk do të ketë investime në infrastrukturën rrugore. Ne besuam tek fjalët e kryeministrit se shëndetësia do të ishte falas, se taksat do të minimizoheshin, se ligji do të vepronte me forcë ndaj keqbërësve. Askush nuk e ka jetën e sigurtë. Përsa i përket marrëveshjes Qeveri- FMN u vërtetuan shqetësimet e BSPSH për rritjen e taksave, për rritjen e moshës së pensionit etj. Ne kemi paraqitur vërejtjet tona për reformën e pensioneve. BSPSH do të përkrahë dhe do të mbështesë çdo nisëm dhe reformë që ndërmerr qeveria shqiptare e cila përmirëson jetën sociale, ekonomike dhe ligjore të punonjësve të Shqipërisë. Do të kundërshtojmë çdo ligj dhe reformë që cënon të drejtat sociale dhe ekonomike të punonjësve të Shqipërisë dhe qytetarëve”.
Pas fjalës së Presidentit të BSPSH u kalua në diskutime. Më pas me radhë u bë deklarimi i votës me mandat përfaqësimi i seksioneve sindikale për kandidatin për president të BSPSH së. Gjithsej votuan 21 seksione të cilat përfaqësojnë 305 këshilla sindikale. Për z. Gëzim Kalaja kanë shprehur votën e tyre 19. 614 anëtarë të BSP Tiranë. Më tej Sekretari Organizativ i BSPSH, z. Koço Jani dhe monitorues i Konferencës i dha fjalën Presidentit të BSPSH, Gëzim Kalaja. Sipas statutit, Presidenti i BSPSH ka të drejtën t’i propozojë konferencës kryetarin e ri të K/S. Z. Kalaja propozoi z. Gani Lami i cili u zgjodh Kryetar i BSP Tiranë me votat e të gjithë delegatëve të Konferencës së VI.
VENDIMET E KONFERENCËS SË VI-të
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura Tiranë si një nga sindikatat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë do të jetë e angazhuar plotësisht për vënien në jetë të vendimeve të Kongresit të 6- të të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, duke ndjekur me konseguencë politikën dhe strategjinë e BSPSH-së, në mbështetje të direktivave të Kongresit të 3-të botëror, mbajtur në Berlin.
BSP Tiranë do të punojë intensivisht për shtimin e numrit të kontratave kolektive të punës në ato ndërmarrje, që nuk janë lidhur kontratat.
BSP Tiranë do të luftojë punën informale. Do të bashkëpunojë me zyrat rajonale të punësimit.
BSP Tiranë do të luftojë për shtimin e radhëve të anëtarësisë së BSPSH me anëtarë të rinj, duke mbështetur nismën e Sindikatës së Tipografisë për përfshirjen në sindikatë të anëtarëve nga sipërmarrjet private dhe punëtorëve të vetëpunësuar në sektorin e shërbimeve në rajonin e Tiranës
BSP Tiranë do të bashkëpunojë për sigurinë dhe shëndetin në punë, duke ndihmuar Inspektoratin e Punës për ndëshkimin e rasteve kur shkelet siguria dhe shëndeti në punë.
BSP Tiranë do t’i qëndrojë pranë seksioneve të veta për të siguruar mirëfunksionimin e tyre sindikalist, për të zgjidhur problemet sociale dhe ekonomike të punëtorëve dhe për të bërë të mundur realizimin e reformave sociale në dobi të anëtarësisë së Tiranës dhe BSPSH-së.
BSP Tiranë do të marrë pjesë dhe do të kontribuojë për edukimin e lidershipit të sindikatave të ndërmarrjeve të Tiranës duke marrë pjesë në trajnime dhe seminare të organizuara nga BSPSH.
BSP Tiranë i rekomandon Kongresit të 6-të të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, trajtimin e problemit të pensioneve të profesioneve të vështira, si dhe atë të rritjes së moshës së pensionit për kategori të veçanta dhe në përgjithësi,
Gjithashtu, BSP Tiranë i rekomandon Kongresit të 6- të të BSPSH-së marrjen e një vendimi unanim për strategjinë që do të përdorë BSPSH për mbajtjen stabël të çmimit të energjisë elektrike, sipas aktmarrëveshjes së arritur me qeverinë në shkurt 2011.
Të ftuarit në Kongresin e VI të BSPSH
AFL-CIO ( Sindikata Amerikane ), z. Rudy Porter, Drejtor Rajonal i Programit për Europën dhe Azinë Qëndore në Qendrën e Solidaritetit.
Solidarnosc ( POLONI )
Z. Bogdan Bis, Zëvendës/ President i SOLIDARNOSC
Z. Robert Szewczyk, Departamenti Ndërkombëtar.
HAK-İŞ Sindikata TURKE
Z. Mahmut ARSLAN – President
Ms. Merita Jegeni YILDIZ – Eksperte
GSEE Konfedrata e Përgjithshme e Punës Greqi
Fotios KOLEVENTIS, GSEE Zëvendës/ President
Znj Kyriaki PSAROGIANNI, Departamenti i Marrëdhënieve
UATUC ( Konfederata Kroaci)
Dijana Sobota
BSPK Kosovë
Haxhi Arifi President I BSPK
Alush Sejdiu, Nënkryetar I BSPK
Antonio Morandi, Sekretari Europian CGIL Nacionale
Enisa Salimovic, përfaqësuese e ITUC
CISL Itali
Stefano Mastrovincenzo
Fausto Mazzieri
UNASM ( Maqedoni)
Divna Zmejkovska( Presidente e Gruas)
Sllobodan Antovski UNASM