Të nderuar delegatë dhe delegate të Kongresit të 6-të të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë
I nderuar zoti Lulzim Basha, Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë
Të nderuar përfaqësues të sindikatave mike, që me pjesëmarrjen tuaj nderoni Kongresin tonë
Të nderuar miq e të ftuar,
Është gjë shumë e bukur, kur një eveniment i rëndësishëm si Kongresi hapet me një sihariq dhe së bashku me të edhe me një falenderim të merituar.
Është fjala, miq të dashur, për lajmin e bukur të realizimit të kërkesës dhe punës këmbëngulëse të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Shqipërisë dhe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë për daljen në pension të minatorëve në moshën 55 vjeç. Në këtë tribunë madhështore të sindikalizmit shqiptar unë, Presidenti i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, falenderoj Qeverinë Shqiptare për fjalën e mbajtur. Ne, kemi pasur dhe kemi parim qe të vlerësojmë punën pozitive në dobi të punëtorëve po aq sa edhe të kritikojmë ato probleme, që duhen ndrequr, sepse vetëm këto mund të jenë marrëdhënie të vërteta e të sinqerta të partneritetit social.
Na mblodhi sërisht kjo sallë, të nderuar miq në Kongresin tonë të 6-të. Vetiu të vjen ndërmend se po në këtë sallë 13 vjet më parë zhvilluam Kongresin e 3-të, të cilin në historinë e sindikalizmit shqiptar e kemi quajtur kongresin e bashkëpunimit të madh të të gjithë forcave sindikaliste rreth BSPSH-së, Kongresin që rikonsolidoi BSPSH-në në rrafshin horizontal dhe në atë vertikal dhe që realizoi shtrirjen e saj në të gjithë territorin kombëtar.
Sot, pas këtyre 13 vjetëve, të dashur miq, vijmë në Kongresin tonë të 6-të tashmë si një organizatë e konfirmuar, me arritje të mëdha dhe me një personalitet të padiskutueshëm në tërë lëvizjen punëtore shqiptare dhe ndërkombëtare, arritje këto nga një pune këmbëngulëse e të gjithë strukturave, si dhe në sajë të unitetit të mendimit dhe veprimit të lidershipit që është karakterizuar gjithnjë nga lufta në front të bashkuar dhe së bashku kanë përballuar momente të vështira dhe sfida të forta, me të cilat ndeshen punonjësit e Shqipërisë si rezultat i reformave agresive të ndërmarra nga qeveria e vendit tonë. Sigurisht ne sot kemi të drejtë të jemi krenarë për ato që kemi arritur.
Ndërsa unë si president i BSPSH-së, personalisht, sot, ju shpreh mirënjohjen dhe respektin tim juve, delegatëve të këtij kongresi që me mandatet tuaja përfaqësoni anëtarësinë tonë të madhe, e cila punon sot në frontet e punës.
Kështu të gjithë bashkë, me duart tona të bashkuara, me një mendim dhe një zemër të madhe si një nevojë imperative e kohës dhe një domosdoshmëri për demokracinë e brishtë shqiptare, të përballojmë sfidat që sindikata jonë për t’iu kundërvënë çdo agresioni ndaj institucionit tonë dhe lëvizjes punëtore në Shqipëri.
Të nderuar delegatë dhe delegate!
Të nderuar miq e të ftuar