Kalaja: BERALB të zbatojë kontratën kolektive
Sekretarja e Përgjithshme e Konfederatës Botërore të Sindikatave Sharan Burrow: “Eshtë një aksion madhështor, urime”!
Në asnjë nen të Kontratës Kolektive nuk ka të shkruar që me rënien e çmimit duhet të pezullohet puna
Ashtu siç kishin paralajmëruar, punonjësit e kompanisë “BERALB” në Fushë-Arrëz, ne kuader te dites Boterore per Pune te Denje dhe ne kuader te aksioneve globale te Konfederatave ne te gjitha shtetet(WDDW) , u ngritën më 6 tetor 2015, në protesta duke kundërshtuar vendimin e kompanisë për pezullimin e aktivitetit. Në krye të protestës, në mbrojtje të interesave social-ekonomike të punonjësve të Fushë-Arrëzit, si gjithnjë Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, të udhëhequra nga Presidenti z. Gëzim Kalaja.
Bazuar në informacionin e SPMSH për situatën në rajonin minerar Fushë -Arrëz drejtuar z. Selim Sevgen, Drejtor Ekzekutiv i Kompanisë “Beralb”, z. Damian Gjiknuri, Ministër i Industrisë dhe Energjetikës, z. Blendi Klosi, Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për dijeni z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë thuhet se Kompania e bakrit “ Beralb”, e cila operon në rajonin minerar Fushë -Arrëz ka marrë vendimin për mbylljen e minierës dhe të fabrikës së pasurimit në kohë të pacaktuar. Ky vendim është marrë në mënyrë të njëanëshme dhe në kundërshtim me kontratën kolektive, marrëveshjen koncesionare të lidhur nga kjo kompani me qeverinë shqiptare, si dhe me letrën e fundit të Ministrit të Energjetikës z. Damian Gjiknuri, i cili e orienton Kompaninë ‘Beralb” për vazhdimin e punës. Mbyllja e minierës dhe e fabrikës së pasurimit krijon probleme të rënda në këtë rajon dhe rrezikon largimin nga puna të 300 punonjësve, që mbajnë me bukë mesatarisht 6-7 persona me pagën e tyre. Përballë kësaj situate sindikata ka reaguar për zgjidhjen e problemit nëpërmjet dialogut social. Të gjitha takimet me përfaqësuesit e kompanisë nuk kanë shënuar asgjë pozitive. Si rezultat i kësaj situate të rëndë Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Fushë- Arrëzit vendosi fillimin e protestave e mbështetur nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.
Fjala e plotë e Presidentit të SPMSH DHE BSPSH Gëzim Kalaja
“Jemi mbledhur sot në këtë shesh për të kërkuar të drejtat tona. Do të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar deri në realizimin e kërkesave të drejta të minatorëve të Munellës, të fabrikës së pasurimit dhe të punonjësve të tjerë që nuk janë sot në këtë shesh, të arsimit dhe shëndetësisë, sepse nga reformat që po ndërmerren shumë njerëzit po dalin pa punë. Jemi në mbështetje të tregtisë dhe të biznesit për të cilët ne kemi marrë një vendim. Sinjalin e parë e dha Shkodra me protestën e saj organizuar nga BSPSH. Por, unë dua t’ju siguroj se protesta e minatorëve të Fushë –Arrëzit do të mbështetet nga të gjithë minatorët e Shqipërisë, nga fabrikat e çimentos, nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Kompania ‘Beralb’ të mendohet mirë, të hapi minierat, jo vetëm minierën e Munellës, por dhe minierat e tjera të cilat i ka marrë me mbështetjen tonë. Nuk jemi ne në grevë, është kompania ‘Beralb’ që ka shpallur grevën e saj. Ajo ka punët e veta, ne kemi detyrën tonë. Do t’i qëndrojmë kërkesave tona deri në fund, do të jemi bashkë me të tjerë në protesta. Kompania ‘Beralb’ të mendohet mirë. I kërkojmë MEI dhe Qeverisë personalisht kryeministrit Rama të zbatojë kontratën koncensionare, të mos lejojë ndërprerjen e punës në minierën e Munellës, në fabrikën e pasurimit dhe në minierat e tjera. T’i japë bukë minatorëve, t’i japë bukë punonjësve të fabrikës së pasurimit, qytetarëve të Fushë –Arrëzit, të Pukës, qytetarëve të Shqipërisë, minatorëve të Shqipërisë. Vetëm një kusht ka nga ana jonë. Ne jemi nga dita e sotme, nga dita e parë, për fillimin e punës, për t’u paraqitur në punë dhe për të punuar, për të marrë paratë që na takojnë, për t’ia çuar familjeve tona, për t’i mbajtuar ato me bukë, për të mbajtur fëmijët tanë në shkollë për t’i lumturuar ato dhe jo për të mbyllur minierat. Kompania ‘Beralb’ nuk ka ardhur këtu të na lerë neve pa bukë, të na lerë pa punë, sepse ne jemi gjallë, jemi në këmbë, jemi në këtë shesh, kemi popullin e Pukës me vete, kemi gjithë minatorët e Shqipërisë, BSPSH-në. Ne kërkojmë punë, Beralb të hapë minierat, fabrikën e pasurimit, ose të largohet nga Shqipëria. Fjalët që thash sot do të jenë dhe nesër, pasnesër, vazhdimisht deri në momentin që kompania ‘Beralb’ do të ulet me Sindikatën e Pavarur të Minatorëve të Shqipërisë dhe të Fushë- Arrëzit dhe të nënshkruajë marrëveshjen. Cila do të jetë marrëveshja?. Ne e kemi propozuar dhe në takimin me ministrin e Industrisë dhe Energjetikës që jemi jo për mbylljen e minierës dhe fabrikës së pasurimit, por për vazhdimin e punës. Nëqoftëse qeveria, strukturat e saj, MIE do të thotë se për shkak të rënies së çmimit ne jemi për mbyllje provizore të minierave, kompania ‘Beralb’ t’i paguajë minatorët dhe punonjësit e fabrikës së pasurimit me pagën bazë për aq kohë sa ato do të qëndrojnë të mbyllura. Marrëveshje për kthimin e punonjësve në punë, pas mbarimit të periudhes së pezullimit në të cilën është bashkëngjitur lista emërore e të gjithë punonjësve, të cilët janë aktualisht në punë e firmosur kjo nga të dyja palët duke qenë garante Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si dhe Ministria e Industrisë dhe Energjetikës. Këto janë kërkesat tona dhe ne duhet t’i realizojmë me çdo kusht sepse na takojnë. Nuk jemi ne që dalim në protestë, janë ata që na kanë imponuar për të dalë sot, nuk jemi ne që jemi në greve, janë ata që e kanë shpallur grevën. Asnjëri që është sot në këtë shesh dhe ai që nuk është për arsye familjare nuk do të largohet nga protesta deri në ditën e fundit, deri sa të realizohen kërkesat tona”.
Kërkesat
1. Vazhdimi i punës dhe jo pezullimi e saj
2. Paga bazë për cdo punonjës në rast pezullimi, për aq kohë sa do të vazhdojë pezullimi
3. Marrëveshje për kthimin e punonjësve në punë, pas mbarimit të periudhes së pezullimit në të cilën është bashkëngjitur lista emërore e të gjithë punonjësve, të cilët janë aktualisht në punë e firmosur kjo nga të dyja palët duke qenë garante Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si dhe Ministria e Industrisë dhe Energjetikës.
Kjo ishte një protestë model që nga organizimi, zhvillimi i saj dhe deri në shpërndarje, ku meritë kanë Kryetari i Degës së BSPSH në Pukë, z. Gjon Zeka, Kryetari i Sindikatës së industrisë minerare për Fushë- Arrëzin, z. Vlash Topjana, Kryetari i Sindikatës së punëtorëve në minierën e bakrit në Munellë, z. Vasil Ndoji, Kryetari i Sindikatës së punëtorëve në minierën e Lak Roshit, z. Gjovalin Vila. Pa dyshim korrektesa dhe mbështetja e minatorëve, e punonjësve të fabrikës së pasurimit, të cilët me qytetari protestuan për të drejtat e tyre. Me pankarta në duar punonjësit e “Beralb” demostruan se e duan punën dhe zbartimin e kontratës kolektive, me thirrje për reflektim të kompanisë në prani të medias, mes tyre dhe “Zeri i Amerikës”, kjo protestë do të mbetet në memorien e Fushë- Arrëzit dhe shqiptarëve të cilët e ndoqën nëpërmjet ekranit. Protesta mori vlerësimet maksimale nga grupimi sindikal botëror ku bën pjesë SPMSH dhe nga Sekretarja e Përgjithshme e Konfederatës Botërore të Sindikatave Sharan Burrow e cila e cilësoi atë një aksion madhështor. Pas protestës u vendos që kompanisë “Beralb” t’i lihet 10 ditë kohë të reflektojë në të kundërtën SPMSH, BSPSH dhe minatorët janë të vendosur që të rikthehen përsëri në shesh për të protestuar.
Kjo proteste u publikua nga Faqja e Konfederates Boterore te Sindikatave ITUC dhe IndustriAll Global Union ku BSPSH dhe SPMSH jane anetare . Mund ti gjeni ne linket si me poshte .
http://www.industriall-union.org/albania#.VhjIdYAAGtt.twitter
http://2015.wddw.org/english/events/article/stop-precarious-work-global?lang=en#.Vp3zpJorIdV
Takimi, Ministri Blendi Klosi premton zgjidhje për punonjësit e BERALB
Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Shqipërisë dhe President i BSPSH-së z. Gëzim Kalaja, zv/ presidentët e SPMSH Sami Kariqi e Jonuz Xhetani, kryetari i sindikatës së industrisë minerare për Fushë- Arrëzin Vlash Topjana dhe kryetari i sindikatës së punëtorëve në minierën e bakrit në Munellë Vasil Ndoji, zhvilluan një takim me Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë z. Blendi Klosi më lidhje me situatën e krijuar në kompaninë ”BERALB”. Z. Blendi Klosi siguroi perfaqësuesit e Sindikatës se do të kenë mbështetjen e plotë të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe se shumë shpejt do të caktohet data e takimit midis kompanisë “BERALB”, Ministrisë së Energjetikës dhe përfaqësuesve të SPMSH për të zgjidhur sutuatën. Të gjithë punëtorët në punë, ose Kompania “BERALB” t’i paguajë me pagën bazë deri sa të rifillojë puna.
Protesta e dytë /Munellë, minatorët kërkojnë fillimin e punës
Punonjësit e “Bealb” iu rikthyen sërish protestës. Minatoret e Munellës kërkuan rikthimin në vendet e tyre të punës. Kreu i BSPSH dhe SPMSH z. Gëzim Kalaja deklaroi se protesta e radhës do të zhvillohet në Tiranë ku përkrah minatorëve të kësaj zone do të jenë dhe minatorë nga e gjithë Shqiperia dhe nga fabrikat e çimentos dhe nga profesionet e tjera anëtare të BSPSH. “Ne do t’i realizojmë kërkesat tona, sepse protesta jonë nuk do të ndalet”. Kështu deklaroi para protestuesve, z. Kalaja duke shtuar se kërkësat ndaj Beralb janë: Të hapi minierat dhe fabrikën e pasurimit. Nesë ajo bie dakort me qeverinë se për një vit do të mbyllë aktivitetin duhet t’i paguajë pagën bazë të gjithë punëtorëve. Po sipas z. Kalaja qeveria shqiptare duhet të zbatojë kontratën koncensionare që ka lidhur me Beralb-ën dhe se kompania ka dy rrugë: o të fillojë punën, ose të largohet nga Shqipëria.
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministria e Industrisë dhe Energjetikës mbështesin SPMSH
Argumentat e paraqitura në takim nga Presidenti i SPMSH dhe BSPSH Gëzim Kalaja u përkrahën nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministria e Industrisë dhe Energjetikës të cilët i kërkojnë Kompanisë “BERALB” të zbatojë kontratën kolektive.