Pas firmosjes së Kontratës Kolektive Presidenti i BSPSH z. Gëzim Kalaja, Presidenti i SPILT z. Myftar Ismalaja dhe drejtuesi i BSP Lezhë z. Pal Deda shprehën kënaqësinë për arritjen e kësaj kontrate e cila do të jetë në interes të ndërsjelltë. Firmosja e kësaj kontrate tregon besimin që kanë punonjësit tek BSPSH-ja, e cila pavarësisht goditjes që po i bëhet me largimin e drejtuesve dhe anëtarëve të saj nga puna ka arritur të shtojë anëtarësinë e saj. Këtë e tregon dhe kjo kontratë. Pas disa ditësh ambientet e kësaj kompanie i ka vizituar Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ku ishin të pranishëm; Presidenti i BSPSH Gëzim Kalaja, përfaqësues të sipërmarrjes, zyrave të Punës, Inspektoratit të Punës dhe shkollave të arsimit dhe formimit profesional. Fabrika e këpucëve “Mali”, e cila ka aktualisht të punësuar 200 punonjës, kërkon të zgjerojë biznesin dhe për këtë kërkon të punësojë edhe 300 punonjës të tjerë. Vlen të theksohet se “Mali” ka plotësuar të gjitha detyrimet ligjore edhe në aspektin e punësimit të personave me aftësi të kufizuara dhe nga komuniteti rom. Presidenti i BSPSH Kalaja duke vlerësuar punën e deritanishme të kësaj kompanie, theksoi rëndësinë që ka tripartitizmi. “Vetëm nëpërmjet dialogut dhe tryezës së bisedimeve zgjidhjen problemet. Punonjësit kanë nevojë për punë dhe pagë të denjë, për kushte dhe siguri në punë”- tha z. Kalaja.
Deklarata e ministrit Klosi pas vizitës
“Alfred Mali është një nga biznesmenët e prodhimit të këpucëve, që aktivitetin e tij e zhvillon në qytetin e Lezhës. Një kompani, e cila dëshmon gjithë vështirësitë e tranzicionit shqiptar, por që tashmë ia ka dalë të punësojë plotë 200 burra dhe gra, që me një punë të denjë kontribuojnë për familjet e tyre. Gjatë vizitës që pata në ambientet e kësaj kompanie, u ndjeva mirë që Alfredi ka vendosur ta zgjerojë këtë biznes dhe për këtë kërkon edhe 300 punëtorë të tjerë, por në të njëjtën kohë u ndjeva keq që ai për të arritur këtë, duhet ta bënte vetë kualifikimin e punëtorëve, pasi ata mungojnë në treg. Për këtë qëllim, u kërkova zyrave të Punës dhe shkollave e qendrave të formimit profesional për të bashkëpunuar me biznesin, jo vetëm për të kërkuar punonjës të kualifikuar, por edhe për të orientuar kurrikulat e shkollave tona drejt kërkesave të biznesit.