Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë më 20 shkurt 2009 dekorohet nga Presidenti i Republikës me Urdhrin e Shqiponjës së Artë me nr. dekreti 6050.
Ky dekorim i dedikohet luftës së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH) për liri e demokraci për sindikalizmin e vërtetë në Shqipëri, i cili nuk mund të realizohej nën diktaturën komuniste dhe me ruajtjen e atyre simboleve që në 50 vjet mbajtën nën diktaturën me të pamëshirshme popullin shqiptar.
Nuk ka sesi të flasësh për BSPSH-në pa bërë një historik të shkurtër të periudhës para se të lindte demokracia në Shqipëri, në vitet kur punëtorët shqiptarë i njihnin sindikatat vetëm nëpërmjet atij informacioni të pakët, tejet të kontrolluar, që transmetonte televizioni shqiptar, i komanduar nga ideologjia komuniste, që mbizotëronte në vendin tonë.
Në fund të viteve 80-të situata ekonomike e Shqipërisë ishte tejet dëshpëruese.
Shteti totalitar, një makinë e rëndë parazitare, nuk paraqiste më asnjë alternativë zhvillimi ekonomik e politik.
Në fundin e 10 vjeçarit të viteve 80-të, Evropa Lindore u përfshi nga lëvizjet demokratike. Shtetet ishkomuniste si Hungaria, Cekosllovakia, Rumania, Polonia etj u ngritën për përmbysjen e qeverive të tyre komuniste dhe për bashkimin me botën e zhvilluar të perëndimit. Polonia pati një ndikim serioz tek të gjithë punëtorët e Shqipërisë, pasi atje lindi Solidarnosti, sindikata e parë e pavarur e punëtorëve të Europës Lindore. Rënia e Murit të Berlinit, shënoi një fitore të madhe të forcave përparimtare, që aspironin për demokraci. Shembja e Murit të Berlinit filloi në vitin 1982 me themelimin dhe lëvizjen për demokraci të Solidarnosit me në krye heroin legjendar të lëvizjes punëtore Les Valesa.Ulja e tensioneve ndërmjet dy superfuqive po e çonte botën drejt një ekuilibri të ri. Në këto lëvizje dhe ndryshime të vendeve të lindjes shtyllat kryesore ishin rinia dhe punëtorët.
Viti 1990 filloi ashpër. Në korrik me qindra shqiptarë i drejtohen ambasadave të huaja në Tiranë. Diktatura përpiqet të godasë, por zemërimi popullor shpërthen në Tiranë, Kavajë, Shkodër etj. Në krye të kësaj lëvizjeje demokratike vihen studentët e Universitetit të Tiranës. Protestat e tyre kishin si motiv ndryshimin e kushteve të vështira në të cilat ata jetonin në konvikte dhe heqjen e emrit të diktatorit Enver Hoxha nga Universiteti i tyre. Me studentët bashkohen intelektualët dhe punëtorët. Vetëm ky bashkim e detyroi diktaturën të gjunjëzohet dhe të pranojë pluralizmin.
Influenca e Evropës lindore nuk mund të kalonte pa u vënë re nga liderët e punëtorisë shqiptare, prandaj ishte domosdoshmëri bashkëpunimi me studentët. Ndryshimet u bënë të mundura vetëm atëherë, kur në to u përfshinë gjerësisht edhe punëtorët që fillimisht mbështetën fuqishëm, në shenjë solidariteti, lëvizjet studentore dhe më pas u bënë forca kryesore që i dha shpresa të gjithë popullit se demokracia në Shqipëri do të triumfojë. Pikërisht këto lëvizje fillimisht solidare e më pas të mirëorganizuara shënuan lindjen e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH), që është kushtëzuar dhe lidhur ngushtë me lëvizjen demokratike, të fillimit të viteve 90-të në Shqipëri, lidhur ngushtë me forca përparimtare si minatorët me organizatën e tyre të pavarur, që shënoi historinë e revolucionit demokratik të vitit 1991, vit i kthesës së madhe historike dhe në të njëjtën kohë, që solli ndryshimin epokal në Shqipëri.
Më 4 janar të vitit 1991, si rezultat i shtypjes së egër nga diktatura, kushtet e këqia të punës dhe të varfërisë ekstreme, në Minierën “Demokracia” Valias, plasi revolta e parë e punonjësve të kësaj miniere. Në ditën e parë të grevës, e cila ishte e para protestë në historinë e punonjësve shqiptarë gjatë 50 viteve të regjimit komunist, u kërkua:
1. Të ngrihet paga 100 për qind
2. Shkatërimi i plotë i ish Bashkimeve Profesionale, që ishin rripa transmensioni të partisë në pushtet.
3. Përmirësimi i kushteve të punës.
4. Largimi i administratës komuniste.
Në ditën e dytë u solidarizuan edhe minierat e tjera të Tiranës. E gjithë industria e nxjerrjes së qymyrit u paralizua. Përballë kësaj situate të rëndë, Qeveria u detyrua të realizojë kërkesat e minatorëve.
Kjo grevë, tashmë, ka hyrë në historinë e artë të lëvizjes punëtore në Shqipëri. Ajo u mësoi për herë të parë punonjësve shqiptarë se çfarë është protesta dhe i dha kurrajon të ngrihen për të drejtat e tyre.
Me themelimin e BSPSH, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë (SPMSH) bëhet shtylla e saj kryesore, gjë që influencoi fuqishëm në krijimin e federatave të tjera të profesioneve.
Gjatë grevës së përgjithshme të majit të vitit 1991, SPMSH luajti rolin kryesor për fitoren e forcave demokratike të asaj kohe. Më 25 maj 1991, 49 minatorë të pellgut qymyrguror të Tiranës ( atëhere 13800 minatorë) ngujohen në grevën e urisë në nëntokë duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë komuniste dhe realizimin e 17 pikave të kërkuara nga BSPSH.
Pas një qëndrimi heroik, prej 11 ditësh, në këtë grevë, në datë 6 qershor 1991, qeveria komuniste u detyrua të japë dorëheqjen, kjo grevë e zhvilluar në nëntokë, bën të mundur afrimin e zgjedhjeve 3 vjet përpara dhe i hapi rrugën forcave demokratike për marrjen e pushtetit.
Për kontributin e jashtëzakonshëm në lëvizjen për demokraci dhe në lëvizjen punëtore për krijimin e sindikatave të pavarura në Shqipëri të tipit modern perëndimor, Presidenti i Republikës së Shqipërisë e ka dekoruar SPMSH dhe të 49 minatorët e grevës së urisë me medaljen e lartë “Pishtar i Demokracisë”
Lufta e përpjekjet për demokraci të vërtetë nxorrën në skenë BSPSH-në
illimisht u ngrit komisioni nismëtar, i cili filloi vrullshëm punën e tij dhe më pas ky komision u bë Komisioni drejtues i BSPSH-së.
Në këto kushte lidershipi i BSPSH-së kërkoi solidaritetin e sindikatave në botë.
Ndonëse pa përvojë të madhe, por të vendosur për të mbrojtur liritë, të drejtat dhe interesat e tyre, punëtorët filluan të ngrinin me shpejtësi të jashtëzakonshme organizatat sindikaliste në çdo ndërmarrje, uzina apo fabrika e institucione në të gjitha rrethet e Shqipërisë.
Për të shprehur qartazi rolin dhe pavarësinë e BSPSH-së po citojmë diçka nga statuti i parë i BSPSH-së, miratuar më 11 mars 1991 dhe I depozituar në Min istrinë e Drejtësisë që njihet edhe si data e themelimit ligjor të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë:
Në hyrje të Statutit të BSPSH në parimet kushtetuese sanksionohet se: “BSPSH afirmon soleminisht pavarësinë e vet në lidhje me punëdhënësin publik e privat, me qeverinë, partitë ose grupet politike. BSPSH synon që të bëjë realitet lirinë e punës , të drejtën për punë”.
Statuti përcakton se : Në BSPSH mund të aderojnë të gjithë punonjësit që janë të punësuar në aktivitete publike, private, të papunë dhe pensionistë, pa asnjë dallim bindjesh politike apo fetare.
Fillimet e vitit 1991 e gjejnë Shqipërinë drejt zhvillimeve të vrullshme. Protestat dhe kërkesat i ngjajnë një orteku të fuqishëm e të papërmbajtur. Qytetet shqiptare rrugët dhe sheshet e tyre mbushen me demonstrime kundër regjimit në fuqi. Në këto lëvizje u përfshi edhe fshati. Fshatarët e tejrraskapitur nga puna në kooperativa u ngritën kundër tyre. Strukturat e BSPSH synonin edhe organizimin e strukturave drejt zonave rurale.
Në shkurt 1991 BSPSH shpall se do të fillojë Grevën e Përgjithshme në të gjithë vendin. Studentët futen në grevë urie për të hequr emrin e diktatorit nga universiteti. BSPSH del në mbrojtje të grevës dhe me thirrjen vëllazërore “studentë-punëtorë”, sheshet kryesore u mbushen nga demonstrimet e punëtorëve e qytetarëve, të cilat sollën përmbysjen e shtatoreve dhe monumenteve të diktatorit.
Më 20 shkurt 1991 BSPSH del jashtë ligjit me akuzën për organizimin e turmave për rrëzimin e simboleve të diktaturës
Më 16 maj 1991 u shpall greva e përgjithshme dhe qeverisë iu drejtuan 17 kërkesa. Në deklaratën e botuar nga BSPSH thuhet se “Burokracia në pushtet duke mbuluar paaftësinë, mungesën e dëshirës dhe pamundësisë për të rregulluar gjendjen tonë, me thirrje, deklarata dhe studime që as janë zbatuar dhe as do të zbatohen, na detyroi të përdorim armën tonë të fundit grevën”. Në muajin maj 1991 mbi 250.000 punonjës në mbarë vendin ndërprenë punën. BSPSH shprehet e vendosur deri në fund në plotësimin e kërkesave të saj.Tirana, Shkodra, Kavaja, Korca, Vlora, Fieri, Berat e Laç. Krasta, Batra, Puka, minierat e Pogradecit, etj kërkojnë me ngulm zgjidhjen e kërkesave. Një manifestim paqësor me pikënisje fushën e Aviacionit Tiranë, ku morën pjesë 100.000 punëtorë që tronditën kryeqytetin dhe mbarë vendin. Protestat ndaj Televizionit Shtetëror për disinformimet keqdashëse bëhen pjesë e lëvizjes sindikaliste dhe protestave mbarë popullore të drejtuara nga BSPSH.
Minatorët në Minierën e Valiasit, në Verdovë të Pogradecit, hidhen në grevën e urisë të futur thellë në galeritë e nëntokës, të ndjekur nga grevat e urisë nga punëtorët e Fabrikës së Qelqit, si dhe në vende të tjera.
Pas lodhjes nga greva e tejzgjatur, të varfër nga ana ekonomike, pas një qëndrimi indiferent të qeverisë, greva filloi të tronditej. Të ndodhur para këtij fakti shtabi i Minatorëve të Tiranës vendosi zhvillimin e grevës së urisë në nëntokë, grevë, e cila filloi me 25 maj 1991 dhe u pasua më vonë edhe nga minierat e tjera. Kjo grevë vazhdoi deri në dorëheqjen e qeverisë dhe bëri të mundur zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare 3 vjet para afatit.
Ndërmjet të tjerave në kërkesat që shtronte BSPSH dhe lëvizja sindikaliste greviste ishin:
- Rritja e pagave dhe pensioneve,
- Garantimi nga qeveria i tallonave të ushqimit,
- Demaskimi i krimeve të diktaturës ,
- Miratimi i ligjit për kontratat kolektive,
- Shteti të respektojë pavarësinë e sindikatës,
- Sigurimi i mbrojtjes së punëtorëve në punë,
- Organizatat e partisë të pushojnë së ekzistuari në ndërmarrje, etj.
Ndërsa në kërkesat drejtuar Kuvendit Popullor u insistua që në projektkushtetutën që do të aprovohej të sanksionoheshin me ligj:
- E drejta për punë dhe për grevë,
- Kujdesi për jetesë në pleqëri, sëmundje apo humbje të aftësisë për punë,
- Kujdes i veçantë për invalidët e luftës anifashiste,
- E drejta për të organizuar në sindikatë,
- Shteti të marrë përsipër të zbatojë standarde ndërkombëtare të punës dhe normat e KSBE,
- Ndalimi i punës së detyruar.
Kjo lëvizje sindikaliste u përpoq të sabotohej e pengohet nga forcat në pushtet dhe organet e dhunës. Shumë drejtues sindikalistë u ndaluan dhe u keqtrajtuan nga policia.
Ndërkohë duke ndjerë forcën dhe pushtetin e medias dhe për të vënë në kontakt anëtarësinë me informacionin e nevojshëm, BSPSH nxorri gazetën e saj “Sindikalisti”, e cila do të luante rol të madh në informimin sindikalist.
Numëri i parë i Sindikalistit do të botonte kryeartikullin me temë: “Me një punë të çliruar nga diktatura dhe një shpërblim të drejtë për të, duart tona dinë të bëjnë atë që bën Europa dhe ne do të dimë të jetojmë si ajo”.
Në një kohë të shkurtër vetëm tre muaj BSPSH numëroi 300.000 anëtarë.
Punohet në dy drejtime:
Së pari: në organizimin e strukturave të BSPSH drejt institucionalizimit të saj;
Së dyti: në përgatitjen e alternativës së vet për legjislacionin e punës si Kodin e Punës, kontratën kolektive, e drejta për organizimin sindikal, e drejta e grevës etj.
Duke parë rëndimin e situatës politike dhe social-ekonomike Lidershipi i BSPSH-së dha idenë e domosdoshmërisë së rifillimit të protestave, gjë që çoi në thirrjen e bërë punëtorëve për një grevë të përgjithshme.
Greva e përgjithshme bëhet zotëruese në vend dhe tërheq vëmendjen e opinionit botëror, sidomos atij sindikalist.
Nën presionin e madh të sindikalistëve qeveria bie, afrohen zgjedhjet e reja, të cilat hapën në Shqipëri portat e demokracisë.
Krahas organizimit institucional të strukturave sindikaliste në dy plane në atë të shtrirjes horizonatale dhe vertikale, BSPSH filloi të punojë në drejtim të edukimit sindikalist e ndihmuar nga sindikatat dhe organizmat ndërkombëtarë.