SINDIKATA E PAVARUR E MINATORËVE TË SHQIPËRISË –SPMSH
Presidenti i SPMSH pranë minatorëve të industrisë së bakrit për zgjidhjen e problemeve
Prej dy ditësh President i SPMSH-së z. Gëzim Kalaja, i shoqëruar nga stafi i tij z. Sami Kariqi dhe z. Jonuz Xhetani zv.Presidentë të SMPSH dhe avokatja e BSPSH-së znj. Arjola Alika , zhvilluan takime të rëndësishme me minatorët e Minierës së Bakrit të Lakut të Roshit , Fabrikës së Pasurimit në Fushë Arrëz dhe Minierës së Bakrit Munellë.
Në takimet e zhvilluara me punonjësit e industrisë minerare të Fushë Arrëzit morën pjesë dhe z. Gjon Zeka , Kryetar i BSP-së të Rrethit Pukë , Vlash Toplana , Vasil Ndoji , Gjovalin Vilapërkatësisht drejtuesit e Sindikatës së Rrethit Pukë dhe të Industrisë Minerare .
Në takim me minatorët u diskutuan probleme të rëndësishme dhe u informuan për situatën e krijuar pas vendimit të kompanisë për reduktimin e numrit të punëtorëve si rezultat i varfërimit të shtresës së mineralit.
SPMSH ka zhvilluar dy takime me përfaqësues të kompanisë BERALB Sh.a për zgjidhjen e problemeve të lindura dhe do të vazhdojë t’i japë rëndësi dialogut me kompaninë për realizimin e kërkesave të minatorëve dhe të punonjësve të Fabrikës së Pasurimit Fushë Arrëz.
Nga minatorët u kërkua me këmbëngulje zgjidhja e situatës së lindur , ulja e moshës së pensionit të pleqërisë në 55 vjeç për punonjësit e nëntokës , kërkesë e cila është miratuar dhe nga partitë politike gjatë fushatës elektorale.
Ata shprehën besimin e tyre të plotë te SPMSH-ja , sindikatë e cila i përfaqëson dhe që në qershor 2013 ka lidhur kontratën kolektive 4 vjeçare me Kompaninë BERALB Sh.a .
Minatorët e Munellës i deklaruan drejtuesve të Sindikatës së Minatorëve të Shqipërisë solidaritetin e tyre në lidhje me punonjësit e Lakut të Roshit dhe të Fabrikës së Pasurimit Fushë Arrëz.
Presidenti i SPMSH i sguroi ata se do të kishin mbështetjen maksimale nga Sindikata e Minatorëve të Shqipërisë , BSP Pukë dhe BSPSH-së në lidhje me kërkesat e tyre të drejta.
Duam të bëjmë më dije , se brenda datës 11 nëntor do të jetë takimi i tretë me përfaqësues të Kompanisë BERALB Sh.a , në lidhje me kërkesat e formuluara pas tre takimeve të suksesshme të zhvilluara me punonjësit e 3 ndërmarrjeve minerare të bakrit Fushë Arrëz .
Pas një dialogu social të suksesshëm
Pas 40 ditë bisedimesh intensive midis Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Shqipërisë (SPMSH) , Sindikatës së Rajonit minerar të Fushë Arrëzit dhe Kompanisë Beralba Sh.a, më datë 25-11-2013 u nënshkrua Akt –Marrëveshja e cila parandaloi pushimin nga puna të punëtorëve të Fabrikës së Pasurimit Fushë Arrëz dhe të minatorëve të Minierës Munellë. Punonjësit e Minierës së Lakut Roshit për shkak të varfërimit të shtresës minerare do të përfitojnë për një vit 25 mijë lek të reja duke e konsideruar këtë pagesë si pagesë solidariteti me të drejtën e rikthimit në punë me fillimin e shfrytëzimit të minierave të tjera.
Gjatë kohës së negocimeve punëtorët kanë manifestuar një solidaritet të fuqishëm me drejtuesit e sindikatës duke i mbështetur ata në këtë ndërmarrje të madhe që synonte zgjidhje të situatave të tyre ekonomike dhe të gjitha rezultatet e arritura janë miratuar nga punonjësit e të tre ndërmarrjeve .
Ky sukses i arritur nga sindikata e Minatorëve të Shqipërisë pjesë e BSPSH -së vlen si shembull për të gjithë lëvizjen sindikaliste shqiptare dhe është tregues i zhvillimit të suksesshëm të dialogut social dhe i partneritetit të një standardi të lartë.
Klikoni ketu per te shkarkuar Akt-Marreveshjen.